I shkeli të gjitha parimet, por Kurti vazhdon të thotë se është kundër dialogut pa parime me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në emisionin ‘Çim Peka Live’ komentoi dialogun me Serbinë. Kurti tha se nuk janë kundër dialogut, por janë kundër dialogut pa parime, ndonëse i ka shkelur të gjitha parimet që vetë i ka proklamuar.

Ndër të tjera, Kurti u shpreh se do t’i rishikojnë marrëveshjet, ndërsa shtoi se në asnjë moment nuk e kanë dëmtuar Kosovën.

“Në vitin 2014, ne kemi thënë që nuk jemi kundër dialogut në parim, por jemi kundër dialogut pa parime. Unë besoj se bisedimet që kemi me Serbinë, ndërkohë që nuk mund të thuhet që kemi arritur marrëveshjen e synuar janë bisedime ku ne jemi palë dhe jo temë. Në vitin 2011, kur kanë filluar Dialogun njëherë Teknik dhe pastaj Politik, kanë bërë 33 marrëveshje! Unë nuk kam thënë që secila prej këtyre marrëveshjeve është e keqe, por kam kundërshtuar shumë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe apo ‘Zajednicën’; kam kundërshtuar shumë ‘Fusnotën’ dhe kam kundërshtuar edhe disa marrëveshje të tjera. Kemi thënë që do të bëjmë rishikimin e këtyre marrëveshjeve dhe në fakt ne po bisedojmë duke pasur parasysh një rishikim që ne ia bëmë. Kurrë Kosovës nuk i është përmirësuar imazhi sa këto 1 vit e tre muaj që jemi në qeverisje dhe me këtë rast, për asnjë moment nuk e kemi dëmtuar Kosovën”, tha Kurti.