I quajti shqiptarët ‘njerëz që vijnë nga mali’ – Presidenti Thaçi: Edhe një tjetër dëshmi e urrejtjes patologjike të regjimit aktual të Serbisë

Presidenti i Kosovës, Hashi Thaçi, tha për Radion Evropa e Lirë se gjuha e përdorur nga kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, është “edhe një tjetër dëshmi e urrejtjes patologjike të regjimit aktual të Serbisë kundër qytetarëve të Kosovës”.Komentet e Thaçit vijnë një ditë pasi Bërnabiç, në prani të ambasadorit të BE-së në Serbi, Sem Fabrizi, tha se shqiptarët janë “njerëz që vertët kanë dalë prej malit”.Thaçi kërkoi nga Bashkimi Evropian që sa më shpejt ta dënojë dhe të distancohet nga kjo “gjuhë raciste” e zyrtarëve të Serbisë, e cila, sipas tij, nxit urrejtje dhe i minon përpjekjet për pajtim dhe normalizim. “Ky veprim nuk paraqet asgjë të re dhe të jashtëzakonshme për ne, sepse ne e dimë shumë mirë karakterin gjenocidial të Serbisë së djeshme dhe asaj te sotme”, tha Thaçi.

“Por, i jashtëzakonshëm dhe zhgënjyes për ne është vetëm fakti i hidhur që BE-ja nuk e dënon këtë sjellje raciste dhe antievropiane të Serbisë. Përkundrazi, BE-ja vazhdon t’i mbajë dyert e hapura për një shtet që ka kryer gjenocid dhe që nuk beson në vlerat evropiane as sot”, tha Thaçi. Bërnabiq i bëri komentet të mërkurën, kur ambasadori i BE-së, Fabrizi, i dorëzoi Raportin e Progresit të Komisionit Evropian. Ajo po ashti tha se disa prej shqiptarëve “janë edhe terroristë që nuk janë dënuar” dhe që “kanë qenë të akuzuar në Tribunalin e Hagës”Pas deklaratës së saj reagoi edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behxhet Pacolli. Ai, përmes një postimi në Twitter, tha se deklarata e kryeministres serbe është “e neveritshme dhe tërësisht e papranueshme”. Sipas Pacollit, ky “racizëm i institucionalizuar” i ka rrënjët në ideologjinë ultranacionaliste.