I premtoi se do ta dërgonte në Belgjikë për 3 mijë e 500 euro, dërgohet në mbajtje i dyshuari

Departamenti për Krime të Rënda i Prokurorisë Themelore në Gjilan ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh një person të dyshuar për kontrabandim me migrantë dhe posedim të narkotikëve

Përmes një komunikate, Prokuroria Themelore ka njoftuar se i dyshuari K.Sh. i ka premtuar të dëmtuarit R.O. që do t’ia organizonte udhëtimin për në shtetet perëndimore.

“Ekziston dyshimi i bazuar që, më 19 tetor 2019, rreth orës 21:50 minuta, në Pikën Kufitare ’’Dheu i Bardhë’’, i dyshuari K.SH., me qëllim të përfitimit pasuror, ka tentuar të kryente kontrabandë me migrantë, në atë mënyrë që i dëmtuari R.O., paraprakisht kishte kontaktuar me të dyshuarin, i cili i kishte premtuar se do t’ia organizonte udhëtimin dhe do ta dërgonte në shtetet perëndimore, përkatësisht në Belgjikë, pasi që nuk posedonte dokumente valide për këtë udhëtim, ku për të gjitha këto shërbime, i njëjti duhej të paguante shumën prej 3.500 euro, pasi që të arrinte në Belgjikë”, thuhet në komunikatë.

Përveç kontrabandimit me migrantë, K.Sh. dyshohet se ka përdorur edhe substanca narkotike.

“Gjithashtu, i dyshuari K.SH., pa autorizim ka poseduar substanca narkotike, ashtu që me rastin e kontrollimit nga ana e zyrtarëve doganor, në veturën e tij janë gjetur 3.6 gram substancë narkotike, e llojit ‘’Kokainë’’”, theksohet në komunikatë.

loading…