I pari i OVL UÇK: Asnjë befasi nëse Hashim Thaçi ftohet nga Gjykata Speciale

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës, Hysni Gucati, ka folur për ftesat që i ka bëra Gjykata Speciale.

Gucati në “Dossier D” në RTV Dukagjini duke komentuar intervistimin e Kadri Veselit në Hagë, ka thënë se është e drejtë e tij të mbrohet në heshtje por e rëndësishme sipas tij është se ai ka shkuar të mbrojë luftën.

I pari i OVL UÇK ka thënë se deri më tani janë të ftuar rreth 250 ish-ushtarë të UÇK-së dhe shumë qytetarë të tjerë që nuk janë anëtarë të organizatës.

Ai ka thënë se shumica dërmuese e të ftuarve janë në cilësinë e dëshmitarëve.

Gucati ka thënë se nuk do të jetë asnjë befasi nëse do të ftohet edhe presidenti Hashim Thaçi pasi sipas tij janë ftuar pothuajse të gjithë komandantët e UÇK-së duke filluar nga Sylejman Selimi.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka thënë se Gjykata i paguan të gjitha shpenzimet për të ftuarit përfshirë biletat e aeroplanit, dhe akomodimi në hotel.

“Vetëm ushqimi gjatë ditës me sa kam informacion paguhet nga vet personat që shkojnë në Hagë”.

Gucati ka thënë se janë duke u përpjekur që të bllokojnë vazhdimin e mandatit për Gjykatën Speciale në Qershor të vitit të ardhshëm.

Ai ka thënë se një gjë të tillë do të kërkojë edhe nga Albin Kurti dhe të gjitha grupet tjera parlamentare./