Fier

“I njëjti avaz çdo vit” Fermerët e Fierit ankohen për përmbytjet

Vitin e kaluar i përmbyti vërshimi i Vjosës.

Ndaj një pjesë e fermerëve që kultivojnë Luleshtrydhe në Kafaraj të Fierit morën toka me qira në pjesën e sipërme të autostradës.

Por as aty nuk i shpëtuan përmbytjeve.

Ndërsa i shpëtuan vërshimeve të lumit, aty i dëmtoi një kanal kullues i bllokuar pas reshjeve të dendura të shiut.

Një fermer thotë se ka investuar 9 milion lekë në një hektarë sera, por tashmë rrezikon një pjesë të prodhimit.

“Është një investim prej 9 milionë lekësh të reja. Një hektar luleshtrylle. Serat të gjitha të reja nga e para. Shikoni tani këtu është një katastrofë.”

I njohur si Kanali i Çesmes, kanali mbledh ujërat e një pjesë të madhe të Frakullës dhe për Bashkinë e Fierit ishte i pastruar, por në realitet doli se aty nuk është vënë dorë.

“Edhe kur i thamë sot kryetarit të bashkisë që u mbytëm, ai shprehu habinë”.

Fermerët nuk i kanë llogaritur dëmët, madje thonë se këtë herë as nuk u intereson, pasi janë mësuar në të shkuarën që nuk kompensohen kurrë.

Por kërkesa e vetme këtë herë tu krijohen mundësitë që të punojnë.

“As mëshirë as ndihmë asnjë gjë nuk duam, vetëm të bëjnë punën e tyre. Siç na kërkojnë ato taksa që vemi atje dhe nuk na japin as çertifikatë pa paguar taksën e tokës asgjë, ata të bëjnë kanalin. Të plasin kokën” thotë një fermer.

“Vit për vit të njëjtat avaze” thotë fermeri tjetër.

Në zonën e Frakullës kultivohen mbi 90 ha sera vetëm me luleshtrydhe. Produkti eksportohet në pjesën më të madhe duke qenë i kërkuar për cilësinë e lartë./oranews