I mituri nga Gjakova braktis shkollën, u traumatizua nga rrahja e arsimtares

Ermal Skënderi, ish-nxënës në shkollën fillore “Emin Duraku” në Gjakovë, nuk i vijon mësimet tash e 3 vjet.

Familja e tij tregon se shkas për këtë është bërë dhuna fizike që arsimtarja e matematikës, Leonora Doli, ka ushtruar ndaj Ermalit për disa muaj, raporton KTV.

14-vjeçari, prapa kamerës, ka thënë se dhuna ndaj tij kishte filluar që në nisjen e vitit shkollor në 2015.

Nëna e Ermalit, Arta Skënderi, thotë se nuk ka qenë në dijeni për dhunën që po ushtrohej ndaj djalit të saj deri sa atij i ishte përkeqësuar gjendja.

Më tutje, ajo shton se ka vendosur që të ndjekë rrugën ligjore për djalin e saj dhe se menjëherë e kishte dërguar rastin në gjykatë, por deri tani janë zhgënjyer shumë.

Arsimtarja Leonora Doli akuzohet nga Prokuroria për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës publike dhe në fillim të këtij viti, Gjykata e Apelit e kishte hedhur poshtë kërkesën e saj për hedhje të aktakuzës, duke e dërguar rastin në shqyrtim kryesor.

Vet arsimtarja Leonora Doli, që ka pranuar të flasë për KTV-në vetëm përmes telefonit, thotë se të gjitha këto janë të pavërteta.

Më 12 janar, Inspektorati i Arsimit kishte nxjerrë një rekomandim që arsimtarja të dalë para komisionit disiplinor dhe që atëherë nuk është marrë asnjë masë tjetër për arsimtaren në fjalë.

Por, përmes një përgjigje të shkruar, drejtori ka treguar se ata kanë ndërmarrë të gjitha masat kur ka ndodhur rasti, duke e lajmëruar atë në Polici.

Raste të tilla të dhunës në shkolla në Kosovë janë ende të shpeshta.

Para disa ditëve, në Podujevë, profesori ka rrahur një nxënës të shkollës fillore “Ibrahim Rugova”.