"Gavran"

“I kanë fikur dritat dhe na kanë rrahë deri në alivanosje”, 4 të rinj denoncojnë policët për dhunë brutale në Gjilan

Katër të rinj nga Gjilani po pretendojnë se janë sulmuar nga gjashtë zyrtarë policorë (emra të njohur për redaksinë) mbrëmjen e së shtunës në një lokal në lagjen “Gavrani” në Gjilan.

Altin Isufi, vëllai i tij, Arbër Isufi dhe dy djemtë e hallës së tij, Arian Kadriu dhe Asdren Emini kanë denoncuar në Inspektoratin Policor gjashtë policë, të cilët, sipas deklaratës së tyre, kanë ushtruar dhunë brutale ndaj tyre, pa ndonjë arsye.

Altini ka dhënë versionin e tij të ngjarjes për Gazetën Sinjali.

Ai thotë se së bashku me tre familjarët e tij kanë hyrë në lokal rreth orës 21:40 dhe pasi kanë marrë nga një pije te banaku, janë ulur në një tavolinë të lirë brenda lokalit.

Përballë tyre, ai thotë se kanë qenë të ulur disa policë, gjashtë prej të cilëve i njohin me emër dhe mbiemër.

Altini thotë se këta policë pas disa minutave kanë shkuar te tavolina e tyre dhe pasi që i kanë fikur dritat, kanë filluar t’i godasin deri në alivanosje.

“Disa policë njërin prej tyre që e njoh, L.T (emër i njohur për redaksinë), ka qenë duke pirë alkool përball neve, sepse e njoh është i të njëjtit vend nga jom unë. Ai ka qenë aty duke pi me disa shokë. Qysh kem t’u bo muhabet t’u kesh ndërmjet veti ka ora 22:00, një person është ulur afër meje në tavolinën tonë. Më tha ‘Po ulna pa të pyet’, i thash ‘okay, ulu’.”

“Pastaj i pashë që na rrethun në tavolinën tonë disa persona, na kanë fikur dritat dhe kanë filluar të na godasin pa kontroll, deri në alivanosje”.

Altin Isufi thotë se është alivanosur për shkak të goditjeve, të cilat pretendon se i ka marrë nga zyrtarët policorë.

Ai thotë se kur është këndellur e ka parë veten jashtë lokalit, duke u mbajtur nga dy persona, derisa thotë se zyrtarët policorë në fjalë kanë ikur nga lokali.

Altini thotë se rastin në polici e ka paraqitur djali i hallës së tij, Arian Kadriu.

Pasi që policia i ka parë të rinj të gjakosur, ai thotë se i kanë dërguar në Emergjencë, ku kanë marrë tretman mjekësor.

Më pas, të rinjtë janë dërguar në stacion policor, ku Altini thotë se kanë qëndruar për gjashtë orë, pa dhënë deklaratë.

Gjatë kohës sa janë mbajtur në stacion, ai thotë se nuk kanë pasur kontakt me njëri-tjetrin.

“Na kanë qitë jashtë dhe njëri prej viktimave pastaj, Arian Kadriu, e lajmëroi policinë dhe erdhën në vendin e ngjarjes. Kurse ata që na kanë sulmuar u larguan nga vendi i ngjarjes menjëherë. Pastaj e thirren emergjencën policia, sepse na panë gjendjen që na kanë sjellë. Shkuam në Emergjencë ku na dërguan aty për trajtim. Kem marrë trajtim, pastaj na kanë dërguar në stacion policor.“

I riu thotë se policët, të cilët i akuzon për sulm fizik, kanë qenë në gjendje të dehur, jashtë orarit të punës dhe pa uniforma zyrtare, kur ka ndodhur rasti.

“Policia e ka raportuar kinse vetëm një person është i përfshirë, por në fakt kem qenë 4 persona të sulmuar nga policë jashtë detyrës, pa uniformë, në gjendje të dehur. Na kanë mbajtur në stacion 6 orë, pa na marrë deklaratën.”

Madje, Altini thotë se sa kanë qenë ende në stacion policor, një polic u ka thënë që ta mbyllin këtë rast, në të kundërtën, të katërt do të përfundojnë në burg.

“Unë i kam thënë prokurores në stacion dhe policëve – ‘shkoni merrni incizimet e kamerave edhe shihet e vërteta’. Policia ka dashur ta fsheh rastin. Njëri prej tyre (policëve) na tha kështu – ‘Shukatne punën ose muni me shku edhe ju në burg’.“

Ai thotë se menaxhmenti i lokalit po gënjen për punën e kamerave të sigurisë, duke thënë se ato kanë qenë jashtë funksionit që kohë më parë.

Lidhur me këtë rast Inspektorati Policor të Kosovës, e kanë konfirmuar nisjen e hetimeve.

“Ju njoftojmë se Departamenti për menaxhimin e ankesave në IPK ka pranuar ankesë nga një qytetar në lidhje me këtë rast dhe rasti është në fazën e hetimit preliminar”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit Policor.

Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje në adresë të zyrtarëve policorë të cilët dyshohet se janë përfshirë në këtë rast, por vetëm njëri prej tyre, B.Gj., ka kthyer përgjigje dhe e ka mohuar se është i implikuar në këtë rast.

“Sa i përket rastit që ka ndodhur atë mbrëmje, unë nuk kam qenë i përfshirë dhe nuk kam çfarë të shtoj dhe gjithashtu nuk dua që emri im të keqpërdoret nëpër media, kaq”, thuhet në përgjigjen e policit B.Gj.