I heshtur qe 10 ditë, ku ka mbetur Konjufca, nuk mori pjesë as në mbledhjen e Kryesisë së VV-së

Gjatë ditës së djeshme, partia Vetëvendosje – e vetmja parti shqiptare në qeverinë në detyrë – mbajti mbledhjen e kryesisë së saj pas një kohe të gjatë. Por, aty mungoi figura e dytë më e rëndësishme e kësaj partie, z.Glauk Konjufca – duke rritur kështu spekulimet për një përçarje të mundshme me Albin Kurtin.

Vetëvendosje tha se diskutoi në këtë takim për një varg çështjesh, por nuk foli për mungesën e z.Konjufca. Mungesë kjo që evidentohet nga fotografitë e publikuara në Facebook.

Në faqen e tij në Facebook, ministri i Punëve të Jashtme në detyrë nuk ka bërë asnjë postim që nga data e 25 prillit, ndërkohë që me 24 prill ai në një studio televizive sulmoi ashpër këshilltarin e atëhershëm politik të Kurtit, z.Shkëlzen Gashin.

Ai deklaroi se Gashi nuk do të bënte pjesë në kabinetin e tij pas deklaratave që i kishte dhënë për Dick Martyn dhe për luftën e UÇK-së.

Kurti e kishte shkarkuar z.Gashi por duke mos thënë asnjë fjalë të keqe ndaj tij.

Periskopi kishte bërë një artikull të mëhershëm në të cilin tematizonte spekulimet në lidhje me këto përçarje por megjithëse spekulime, ishte qortuar ashpër nga ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu.

Prezent në mbledhjen e fundit të VV-së ishin të gjithë funksionarët e lartë të partisë, përfshirë Albulena Haxhiun, Arben Vitinë, Albin Kurtin, Xhelal Sveçlën e shumë e shumë të tjerë.

https://www.facebook.com/pg/vetevendosje/photos/?tab=album&album_id=10156795400382000