Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani ka reaguar pasi Parlamenti i Shqipërisë nuk e miratoi një rezolutë për Gjenocidin në Srebrenicë.

Zëvendësi i Xhelal Sveçlës ka thënë se ky lajm e ka pikëlluar e frustruar shumë, transmeton Demokracia.com.

“Lajmi i sotëm se Parlamenti i Shqipërisë ka dështuar të votojë Rezolutën për Gjenocidin e Srebrenicës, nuk më befason fare, por megjithatë më frustron e më pikëllon tepër shumë.
Më trishton!”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai e ka shpërndarë edhe një status të tij, të cilin e kishte publikuar në vitin 2020, ku bënte thirrje që të mos harrohet Srebrenica.

“Është obligim njerëzor që mos ta harrojmë kurrë Srebrenicën. Ajo çfarë kishte ndodhur në korrik 1995 në Srebrenicë të Bosnjës, nuk është vetëm krim kundër njerëzimit, nuk është vetëm gjenocid dhe krimi më mizor pas Holokaustit, por ai është edhe turp i njerëzimit. Duke kujtuar dhe duke mos harruar Srebrenicên, ne mbajmë gjallë kujtesën për atë çfarë kanë bërë serbët, që sot janë bashkëbiseduesit më seriozë në Bruksel.”, kishte shkruar ai, edhe pse Qeveria pjesë e së cilës është merr pjesë sot në bisedimet në Bruksel.