I dyshuari në arrati për vrasjen në Ferizaj, para disa kohësh e kishte sulmuar një polic të Kosovës

I dyshuari për vrasjen e 18 vjeçares në Ferizaj, Dardan K. i cili ende është në arrati kohë më parë ka qenë në paraburgim për sulm ndaj një zyrtari policor.

Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com, kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari.

“D.K. ka pasur rast për lëndim ndaj një zyrtari policor, për këtë rast i dyshuari ka qenë në paraburgim. Zyrtari policor në kohën kur ka ndodhur sulmi ka qenë jashtë detyrës”, tha Jashari.

Dje në emergjencën e spitalit është sjellë pa shenja jete një vajzë e moshës 18 vjeçare.Dy persona të dyshuar, pasi kanë sjellë në spital viktimën, janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Njëri nga të dyshuarit është arrestuar dje.Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashar tha sot përmes një konference për media se shumë shpejt pritet arrestimi i të dyshuarit të dytë në lidhje me vrasjen e vajzës 18 vjeçare në Ferizaj.

Nga Prokuroria kanë deklaruar se dyshuari i arrestuar tashmë A.S., ka një aktakuzë aktive të vitit 2013 për tentim vrasje.

Në kërkesën e paraburgimit ku janë përshkruar dyshimet e para që quan në vrasjen e tashmë të ndjerës, 18-vjeçare M.O., thuhet se një natë më parë, dhuna kishte filluar ndaj viktimës. Motivet sipas prokurorisë ishin xhelozie.

“Ekziston dyshimi i bazuar se më 22 gusht 2021, rreth orës 15:00, në rrugën “Ramdan Rexhepi”, në Ferizaj, në banesën e të pandehurit D.K., me dashje, në mënyrë mizore për motive të ulëta e keqtrajtuar viktimën”, thuhet mes tjerash në arsyetimin e kërkesës për paraburgim. Aty thuhet tutje se ajo u keqtrajtua dy ditë deri në vdekje.

Sipas prokurorisë, gjatë gjithë kohës në vendngjarje ishte edhe i dyshuari tjetër me inicialet A.S. por i njëjti nuk kishte marrë asnjë veprim.