I dënuari për vjedhjen e 700 litrave naftë nga kamionët e “Bechtel-Enka” kërkon pafajësinë në Apel

Ndonëse gjatë gjykimit në shkallë të parë e kishte pranuar se kishte vjedhur naftë nga kamionët e kompanisë “Bechtel – Enka”, i dënuari me gjashtë muaj burg Bashkim Abazi, po kërkon lirim nga Gjykata e Apelit.

Edhe pse aktgjykimin e shkallës së parë e kishte atakuar vetëm sa i përket lartësisë së dënimit, gjatë seancës së mbajtur të hënën, në Gjykatën e Apelit, ku është shqyrtuar ankesa e tij, ai deklaroi se e kishte pranuar fajësinë, por veprën penale nuk e kishte kryer.

“Unë e kom pranu fajësinë në Kaçanik, se gjykatësi më tha Bashkim nëse e pranon fajësinë, ki mu letu. Unë veç kam hy, as nuk e kom lon me lexu aktakuzën se më vike tepër rond”, deklaroi i akuzuari.

Ai tha se naftën që supozohet të jetë vjedhur nga ai, nuk e kishte vjedhur, por e kishte blerë.

“Gjykatës unë nuk e njoh ligjin, por besomëni që unë nuk e kom marr, kom shku kam pi kafe me një shok, ka ardh nji sigurim i Bechtel-it, mi ka dhon kantat. Është e vërtet, jam mashtru e kom ble naftë. Por, vallahi se kom vjedh, e kom ble”, deklaroi Abazi.

Ndërkaq, përmes ankesës ai kishte kërkuar nga Apeli që dënimi ndaj tij të zbutet.

Gjykata Themelore në Ferizaj, dega në Kaçanik, më 10 qershor të vitit 2019, të akuzuarin Bashkim Abazi e kishte shpallur fajtor për veprën penale të vjedhjes së rëndë, duke e dënuar me gjashtë muaj burg efektiv.

Ai akuzohej nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, se më 16 mars 2018, në kohë të pacaktuar, në fshatin Doganaj, me qëllim që vetes t’i sjell dobi pasurore të kundërligjshme, me përdorimin e forcës kishte hapur kapakët e rezervuarëve të kamionëve dhe nga aty kishte nxjerr naftë në sasi prej 700 litra.

Me ç ‘rast, sipas aktakuzës, i ka shkaktuar dëm të dëmtuarës më shumë prej 700 euro, duke kryer kështu veprën penale të vjedhjes së rëndë.

loading…