Më 16 shtator 2010, Gjykata e Qarkut në Pejë kishte nxjerrë aktgjykim duke i shpallur fajtorë dhe duke dënuar Muhamet Demajn, Bajram Mehmetajn dhe Azem Veselin, për veprën penale të detyrimit të kryer në bashkëkryerje.
Ata ishin dënuar me nga 2.5 vjet heqje lirie. Në një komunikatë të EULE-xit, thuhej se Gjykata Supreme, në vendimin e saj, pranoi ankesat e të pandehurve për veprën penale të tentimdetyrimit dhe e hodhi poshtë atë vepër.
Vepra e tentimdetyrimit ishte futur në aktgjykim nga kolegji i gjykatësve dhe ishte jashtë aktakuzës së prokurorisë. Por Gjykata Supreme ka pranuar edhe kërkesën e Prokurores së Qarkut për rritjen e dënimit për të pandehurit – nga 2.5 në 3 vjet për Muhamet Demajn e Bajram Mehmetajn.
Azem Veseli nga 2.5 është vendosur të dënohet me 2 vjet.

E Azem Veseli të shtunën është parë në rreshtin e parë të fushatës zgjedhore të PDK-së në Pejë.
Ndërsa sa i përket gjykimit, kur gjykimi në nivelin e parë kishte nisur, prokurorja e EULEX-it pranë prokurorisë së Qarkut në Pejë, kishte kërkuar dënimin e të pandehurit të parë me 8 vjet burg ndërsa për dy të tjerët nga 5 vjet.
Mbrojtësit e të pandehurve dhe vetë të pandehurit kishin kërkuar që të shpalleshin të pafajshëm. Mirëpo kolegji i gjykatësve, pavarësisht kërkesave të prokurores dhe palëve, të pandehurve ju shqiptoi dënimet prej dy vite e gjashtë muaj për secilin.
Rasti kishte të bënte detyrim të Ekrem Llukës nga tre të pandehurit ku të njëjtit e kishin detyruar biznesmenin që t’i paguaj një shumë prej 150.000 eurosh pas fitimit të tenderit për privatizimin e hotel Onix në Banjën e Pejës nga ana e këtij të fundit, në fund të 2009-tës dhe fillim të vitit 2010.
Oferta e tij prej 8.7 milionë eurosh për të blerë hotelin kishte dalë fituese pasi ishte dukshëm më e lartë se dy ofertat tjera konkuurente. Por më vonë, Lluka ishte ankuar në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP) se ishte i kërcënuar dhe kishte kërkuar të tërhiqet nga tenderi.
Bordi i Agjencisë nuk e kishte përfillur kërkesën e tij herën e parë, por e kishte pranuar pas kërkesës tjetër të Llukës, në mars 2010, me arsyetimin e njëjtë. Për AKP’në dëshmi e vlefshme për tërheqje nga blerja është kërcënimi.
Sipas aktgjykimit të Gjykatës së Qarkut në Pejë, të vitit 2010, AKP kishte anuluar tenderin në qershor 2010 dhe Llukës i ishin kthyer paratë e depozituara për të konkurruar në tender.







