I ashpërsohet dënimi shqiptares që ia preu fytin vajzës 7 vjeçe në Angli

Një gjykatë në Angli ia ka ashpërsuar dënimin gruas me prejardhje shqiptare, Eltiona Skana, për vrasjen e vajzës 7 vjeçe, Emily Jones, në një park.

E përshkruar si person skizofren, Skana më parë ishte dënuar me burgim të përjetshëm, pa të drejtë për të kërkuar falje apo zbutje të dënimit për tetë vjet.

Megjithatë, gjykata vendosi që periudha minimale për heqjen e së drejtës për të kërkuar falje të dënimit të rritet nga tetë vjet në dhjetë vjet e tetë muaj pasi një gjykatës pranoi se ka bërë një gabim.

“Kur mora vendim për dënim, kisha harruar për ligjin sipas të cilit periudha minimale që duhet të kalohet në burg nga një sulmues seksual ose sulmues i dhunshëm, dënimi i të cilit është shtatë vjet ose më shumë, duhet të jetë dy të tretat e dënimit e jo gjysma e tij.

Skana mori pjesë në seancë përmes video-lidhjes nga spitali me siguri të lartë, Ramton, ku po trajtohet si paciente sipas Aktit të Shëndetit Mendor, shkruan Daily Mail.

Skana fillimisht kishte shkuar në Angli në vitin 2014 pasi kishte kërkuar azil. Ajo ka pasur histori të gjatë të sëmundjes mendore dhe nuk ishte duke i përdorur ilaçet antipsikotike.

Në ditën e vrasjes, e dënuara e kishte ndalur vajzën e vogël në një park, ku ajo ishte ndarë për pak kohë nga prindërit, duke e prerë në fyt me thikë. Eltiona Skana ishte përpjekur të ikte nga vendi i ngjarjes, por një kalimtar rasti e kishte ndalur atë dhe e kishte lajmëruar policinë.