I akuzuari mohon të ketë dhënë para me fajde dhe ta ketë përdorur armën

I akuzuari për fajde dhe përdorim të armës, Ragip Fazliu, në seancën fillestare të së premtes ka mohuar të ketë kryer këto vepra penale.

“As nuk kam pas armë kurrë, as nuk kam dhënë para me fajde kurrë në jetë”, ka deklaruar i akuzuari, pasi që prokurori Armend Hamiti, e ka lexuar aktakuzën ndaj tij.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Beqir Kalludra, e ka njoftuar të akuzuarin se ai ose mbrojtësi i tij, avokati Gani Hoxha, kanë mundësi që brenda afatit prej 30 ditësh të kundërshtojnë provat e aktakuzës dhe të kërkojnë hudhjen e saj.

Shqyrtimi i dytë gjyqësor është caktuar të mbahet më 25 shkurt, në ora 8:45.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 5 dhjetor 2013, Ragip Fazliu pretendohet se në kohë të pacaktuar në vitin 2012, i ka dhënë para me fajde të dëmtuarit Mirsad Hasani, në atë mënyrë që duke qenë në situatë të pavolitshme, ia jep 5000 euro me interes, për çka i njëjti është detyruar t’ia kthej 8000 euro, në një periudhë kohore prej 13-14 muajsh.

Sipas prokurorisë, i dëmtuari Hasani, ishte detyruar t’i merr edhe 4000 euro tjera me interes prej 2000 euro dhe pasi që ai nuk kishte arritur me kohë ta kthente borxhin, bashkë me kamatën, atëherë i pandehuri ia rritë kamatën prej 900 euro çdo muaj, ashtu që borxhi definitiv i bëhet 9000 euro, ndërsa kamata 5000 euro dhe se këtë borxh, sipas aktakuzës, i dëmtuari nuk ka mundur ta kthente sipas afatit kohor, por më 9 prill 2013, përfundimisht ia kishte kthyer.

Përpos veprës penale “fajde”, sipas prokurorisë, Fazliu e ka kryer edhe veprën penale “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Ai akuzohet se më 29 qershor 2013, rreth orës 14:30, në fshatin Shkabaj, komuna e Obiliqit, në bashkëkryerje me të pandehurit Blerim Fazlija dhe Bekim Bajrami, të cilët gjenden në arrati , e kanë ndalur veturën “Golf 6”, pronë e të dëmtuarit Nysret Grajqevci e të cilën e drejtonte i dëmtuari Mirsad Hasani.

Prokuroria pretendon se në atë situatë, Fazliu e ka nxjerr nga vetura të dëmtuarin Hasani dhe me qëllim frikësimi ia drejton revolen e tipit “’TT”, ndërsa i pandehuri Blerim Fazlia, ka hipur në veturën ku gjendej i dëmtuari Grajqevci dhe me shpejtësi e drejton atë drejt Prishtinës, ku në një vend e largon nga vetura të dëmtuarin Grajqevci, ndërsa veturën e dërgon në një vend të panjohur.

Për veprimet e 29 qershorit 2013, Ragip Fazlija bashkë me dy të pandehurit e tjerë Blerim Fazlija dhe Bekim Bajrami, akuzoheshin edhe për veprën penale “vetëgjyqësi”, por prokurori Hamiti, për shkak të parashkrimit të ndjekjes penale, ka hequr orë nga ndjekja penale.