Kandidati për kryetar të Lipjanit nga PDK-ja, Hyzer Rizani, bashkë me kandidatët për asamble, e ka shënuar Muajin Rozë, tetorin, që ka të bëjë me sensibilizimin për identifikimin e kancerit të gjirit.
“Muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit është një fushatë vjetore ndërkombëtare që synon të shpërndajë informacion dhe të edukojë njerëzit për rëndësinë e shëndetit, për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit për popullatën në të gjithë botën e veçanërisht në Kosovë”, ka shkruar ai.
Bashkë me Rizanin në këtë aktivitet ishte edhe Herolind Kozhani, kandidat për asamble që mban numrin 20 në listën zgjedhore.
Postimi i Rizanit:
TETORI – MUAJI ROZË
Muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit është një fushatë vjetore ndërkombëtare që synon të shpërndajë informacion dhe të edukojë njerëzit për rëndësinë e shëndetit, për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit për popullatën në të gjithë botën e veçanërisht në Kosovë.
Tashmë të gjitha nënat e Komunës së Lipjanit e dinë që mamografia e cila identifikon kancerin e gjirit, prej kohësh ka pasur defekte e probleme teknike, ndërkohë si pasojë e neglizhencës së Komunës për ta riparuar atë ka humbur edhe besimi i grave ndaj institucionit të Komunës.
Ne si PDK në kuadër të aktiviteteve tona sot jemi takuar me gratë kandidate për asamble për zgjedhjet e 17 tetorit me të cilat bashkëbiseduam për rëndësinë e kontrolleve mjekësore sepse ekzaminimi klinik i gjirit rekomandohet të bëhet një herë në vit ose së paku çdo 2 vjet.
Gjatë qeverisjes sime ne do ta pajisim QKMF-në me pajisje më moderne sa i përket mamografisë, andaj secila femër do t’i marrë këto shërbime falas dhe në kohë të shpejtë.
Partia Demokratike e Kosovës dega në Lipjan solidarizohet me të gjitha gratë e prekura nga kanceri i gjirit dhe i inkurajon që të gjithë të bëjnë jetë të shëndetshme!









