Hyseni: Rasti i 16-vjeçares nga Drenasi nuk është i pari, ai u bë medial

Pse janë shuar hetimet kur e mitura ka bërë kallëzim, a ka pasur neglizhencë në trajtimin e këtij rasti dhe çka është duke ndodhur aktualisht me këtë rast.

Këto kanë qenë disa nga pyetjet që deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë pasur për Këshillin Gjyqësor dhe atë Prokurorial për rastin e abuzimit seksual të të miturës nga Drenasi, por që nuk kanë marrë përgjigje konkrete, me arsyetimin se rasti është në procedurë dhe çdo publikim i informacioneve mund të ndikojë në rast.

Në komisionin për të drejta të njeriut sot kanë raportuar kryesuesi i Këshillit Gjyqësor Nehat Idrizi dhe kryesuesi i Këshillit Prokurorial Bahri Hyseni, lidhur me rastin e vajzës nga Drenasi që dyshohet se është keqtrajtuar seksualisht së pari nga profesori e pastaj edhe nga një zyrtar policor.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Nehat Idrizi, ka thënë se ky rast asnjëherë më parë nuk është trajtuar në institucionet gjyqësore, andaj nuk mund të komentojnë rreth detajeve të rastit, pasi sipas tij rasti është në procedurë dhe çdo koment mund të ndikojë në këtë proces.

Të njëjtën përgjigje ka dhënë edhe kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Bahri Hyseni, i cili ka thënë se rastet penale janë raste, të cilat duhet të trajtohen në salla të Gjykatave e me dyer të mbyllura.

Ai tha se rasti i vajzës nga Drenasi nuk është i pari, por se ky rast është bërë medial.

Hyseni ka deklaruar se prokurori i shtetit është i pavarur në punën e tij dhe secili prokuror në lëndën që e ka para vetes ka pavarësi të plotë.

Derisa ka folur për atë se a ka qenë prezentë ndonjë familjarë apo përfaqësues ligjorë me të miturën kur është dhënë deklarata, Hyseni thotë se beson që dikush ka qenë.

Kreu i Këshillit Prokurorial thotë se rastet e ngacmimit seksual, dhunimit trajtohen gjithmonë me urgjencë dhe nuk ka mundësi që rastet të pushojnë në sirtarë.

Sa i përket asaj se a ka pasur neglizhencë në trajtimin e këtij rasti, Hyseni thotë se do të vazhdojnë ta trajtojnë këtë rast dhe se për çdo veprim do të njoftojnë mediat.

Ndërkaq, sa i përket legjislacionit në fuqi, ai tha se legjislacioni është i mirë dhe është i qëndrueshme.
Dënimet sipas tij janë të nivelit të standardeve evropiane, kurse politika ndëshkimore sipas tij është e drejtë e gjykatave.

Kryetarja e këtij komisioni, Duda Balje, ka ngritur shqetësimin se lëndët nëpër gjykata po zvarriten me vite, dhe ka kërkuar që të gjendet një zgjidhje që të trajtohen më me prioritet rastet e dhunës.

Ndërkaq, deputetja e LDK-së Lirije Kajtazi, është shprehur se në seancën e javës së kaluar kur është trajtuar po e njëjta temë, ka pasur deputetë që janë tallur dhe nuk e kanë marrë seriozisht rastin.

Ndryshe, për rastin e vajzës së mitur nga Drenasi aktualisht profesori Sh.Xh. dhe zyrtari policor V.V. që dyshohen se kanë keqtrajtuar seksualisht janë në paraburgim për një muaj, ndërsa mjeku që ka kryer abortin është në arrest shtëpiak.