Hyseni: Qeveritarët vetëm te Desku i Agron Bajramit rrinin, tash ai ambasador

Anëtari i PSD-së, Zgjim Hyseni, ka thënë se emërimi i ambasadorëve të rinj nuk është bërë në bazë të meritokracisë.

Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka caktuar ende zyrtarisht ambasadorët e rinj. Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla kishte shkarkuar ambasadorë të emëruar politikë në disa vende të rëndësishme të botës, në maj të këtij viti. Mirëpo T7 ka mësuar nga burimet e veta se tani më pritet emërimi i 14 ambasadorëve të rinj, e njëri prej tyre është ish-kryeredaktori i Kohës, Agron Bajrami. Ai po përflitet si ambasadori i ardhshëm në Bruksel.

Hyesni thotë se emërimi i tij nuk kishte mundur të bëhej nëse ai nuk do të punonte në një medium të afërt me Qeverinë.

“Qeveritarët vetëm te Desku i Agron Bajramit rrinin, tash ai ambasador”, thotë ai.

Hyseni në emisionin Pressing në T7 ka thënë se emisioni i tij politik kishte më së shumti mysafir zyrtarë të qeverisë së tanishme dhe po të mos ishte ajo, Bajrami nuk do të ishte sot ambasador.

“Po të mos ishte ai emision dhe ajo platformë, ai nuk do të ishte në këtë pozitë përkundër meritave të tij”, shtoi ai.