Presioni i SHBA-ve ndaj Qeverisë për heqje të taksës po rritet çdo ditë e më shumë. Mbrëmë i dërguar special i presidentit amerikan, Donald Trump për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, Richardo Grenell ka thelluar edhe më shumë mospajtimin me ‘Qeverinë Kurti’ në lidhje me taksën.
Kreu i ekzekutivit, Albin Kurti vendosi pa koordinim me LDK-në që ta largojë taksën pjesërisht, fillimisht nga 15 marsi të hiqet taksa për lënden e parë, nëse Serbia ndalë fushatën e çnjohjeve atëherë me 1 prill do të hiqet taksa në tërësi e vendosur nga Qeveria Haradinaj në nëntor të vitit 2018
Serbia nuk e ka ndalur fushatën e saj agresuese kundër shtetësisë së Kosovës, madje presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq ka deklaruar se fushata në arenën ndërkombëtare do të vazhdojë.
Në një situatë të tillë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është deklaruar që taksa duhet të hiqet ashtu siç kërkon SHBA, një diferencë qëndrimesh me partnerin e koaliconit, Albin Kurtin.
Ballkani.info ka kontaktuar me anëtarin e kryesisë së LDK-së, Skender Hysenin i cili tha që qëndrimi i LDK-së është shumë i qartë për sa i përket taksës.
“Qëndrimi i LDK-së është shumë i qartë për sa i përket taksës, ne jemi që taksa të largohet ashtu siç kërkon SHBA-ja”, tha Hyseni.
Por, çfarë do të ndodh nëse kryeministri i vendit, Albin Kurti vazhdon të këmbul në qëndrimin e tij për taksën? Hyseni u përgjigj që LDK do të reagojë në kohën e duhur.
“LDK për çdo rast do të mblidhet dhe do ta marrë vendimin e caktuar, pa dashur të paragjykoj momentalisht”, u shpreh Hyseni.
Çështja e taksës është temë shumë e trajtuar në vitin e fundit kjo për shkak që taksa ndikoi në ndërprehjen e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë. /Ballkani.info/







