Hyseni: Kurti po beson se është i zbrituri nga qielli, këtë sjellje s’e duron ky ambient politik

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Skender Hyseni të KTV-së ka pasur kritika të shumta kundrejt Vetëvendosjes dhe kreut të saj Albin Kurti, mandatarit për kryeministër të Kosovës.

Sipas tij Vetëvendosje po synon të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“Vetëvendosje e ka gabim nëse mendon se mund ta nëpërkëmbë LDK-në. Nëse Kurti nuk bëhet kryeministër LDK-ja do të përçahet, e kjo është qesharake, ndjellakeqëse dhe monstruoze. Është njësoj sikur të synosh miqësi dhe t’ia duash të keqen. Nëse duam të vijmë në një përfundim të saktë dhe të paanshëm. Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve, ajo është e lirë të presë ose të mos presë. Dhe ajo nuk është duke pritë. Po do t’i shterë të gjitha procedurat, dhe kam bindjen se me këto veprime Vetëvendosje synon zgjedhje të parakohshme”, ka thënë Hyseni.

Ai ka shtuar se Vetëvendosje nuk e ka problem punën e kryeparlamentarit, derisa thotë se LDK-ja nuk është aspak përgjegjëse për situatën e krijuar.

E Hyseni ka thënë se Osmani e ka lutur Kurtin që të shtyjë seancën për konstituimin e Kuvendit.

“Nëse Grupi Parlamentar i LDK-së nuk do të votonte kryeparlamentarin dhe do të bllokonte konstituimin e Kuvendit. LDK-ja aspak nuk është përgjegjëse. E kemi votuar duke menduar se në atë moment që VV-ja njëanshëm vendos, atëherë ka hequr dorë për LDK-në si partner. E di sigurt se Osmani e ka lutur Albin Kurtin që ta shtyjë një javë konstituimin e Kuvendit”, ka thënë Hyseni. “3-4 orë para mbledhjes së Kuvendit kemi analizuar situatat. Ata mund ta propozojnë dikë për kryeparlamentar, dhe nëse ndodh atëherë në opinion ne s’mund të shihemi si parti që i bllokojmë institucionet”.

Hyseni thotë se Vetëvendosje s’ka mundur të propozojë një kandidat nga LDK-ja, pasi nuk kishte marrëveshje.

“Si mund të kandidosh një kandidat tonin nëse s’kemi marrëveshje paraprake. Marrëveshja duhet të jetë komplete, nuk duhet të jetë parciale. E pikërisht këto janë lojërat e VV-së, me qëllim manipulimi e keqpërdorimi. Nuk mund t’i diktojë politikat kadrovike të LDK-së, Vetëvendosje. Një koalicion ndërtohet në mirëbesim dhe synohet partneritet. Nuk guxon të ketë koalicion ndërmjet VV-së dhe LDK-së si dy parti konkurruese. Vetëvendosje asnjëherë nuk ka thënë se juve iu takon kryeparlamentari si pako, por e ka thënë se parciale. Pako komplete do të duhej të ishte marrëveshje para se të shkohej para çdo votimi”, ka thënë Hyseni.

Sipas tij VV-ja ka demonstruar me çdo veprim se nuk synon partneritet në koalicion me LDK, por e sheh si kundërshtare politike.

Hyseni thotë se VV-ja mund t’i ketë 50 propozime, por secili ka qenë më i keq se tjetri.

Ai gjithashtu ka kritikuar sjelljen e Kurtit, duke thënë se ai po beson se është i zbrituri nga qielli.

“E sidomos ai për rritjen e ministrive, që ka synuar të i thotë LDK-së se po do shumë pushtet. Ky fitues i zgjedhjeve i ka 12.8 për qind. E nuk mund të sillesh si mbret dhe të besosh se je i tillë. Përshtypja ime është se Kurti po beson se është i zbrituri nga qielli dhe me 12.8 për qind mund të abuzojë si të do. Këtë e them pa asnjë keqadashje. Ky ambient politik nuk duron sjellje egocentrike. Ky sistem duron mirëkuptim e konsensus të pafund”, ka thënë Hyseni.

Sipas tij Kosova është në një udhëkryq që i ngjan para gjendjes së Rambujesë.

Hyseni ka insistuar se oferta e LDK-së nuk ishte merre ose leje, por shpreh bindjen se tani nuk ka hapësirë për koalicion.

“Mustafa ka qenë më shumë se i qartë pas takimit të fundit me VV-në. Nuk është e saktë se ne kemi thënë, merre ose leje, e ne nuk e kemi ndërmend të ndryshojmë ofertën tonë. Vetëvendosje nuk po e sheh të keqe këtë, por po e shfrytëzon si pretekst dhe nuk po do koalicion me LDK-në. Kam insistuar që menjëherë të nisë biseda me VV-në. Kam qenë i bindur se ai koalicion do të funksionojë. Pas veprimit të sotëm shoh akoma më pak hapësirë. Hapësira mendoj se është zhdukur pothuajse tërësisht, sepse ky ka qenë mesazh i qartë i Vetëvendosjes, madje me fyerje ndaj LDK-së”, u shpreh Hyseni.

Megjithatë, ai thotë se mënyra e vetme është nëse Vetëvendosje pranon ofertën e LDK-së.

“Në rast se VV-ja kthehet dhe thotë, por pajtohem. Ju siguroj se në LDK pritet me dyer të hapura çdo veprim i arsyeshëm dhe qëllimit e vullnetit të mirë. Në vendimin e 26 kemi thënë se do të votonim një qeveri të pakicës vetëm për të mos bllokuar themelimin e qeverisë. Pas shumë veprime të Vetëvendosjes, si fyese ndaj LDK-së, prapë jemi të mendimit por me disa kushte shumë të sakta dhe të artikuluara. Nuk mund të vlejë programi që kemi bërë, pasi 70 për qind e saj është i LDK-së. Nuk ka asgjë të keqe që Reka të jetë Ministër i Jashtëm, pasi e qon mesazhin se Kosova nuk paska kuadro”, ka thënë Hyseni.

Sipas tij Vetëvendosje e Kurti duhet ta kërkojë me përulësi votën.

“Ai nuk e ka denjuar LDK-në as me propozimin e Konjufcës, dhe me këtë Kurti ka hyrë në aventurë politike. Nëse shkohet në zgjedhje të parakohshme, nis çdo gjë nga e para. Zgjedhjet e reja nuk do të duhej të ndodhnin”, u shpreh ai.

E Hyseni është edhe kundër vijave të kuqe.

“Asnjëherë nuk jam pajtuar me vija të kuqe, sepse ambienti politik në Kosovë është shumë i kondensuar dhe sistemi elektoral është i tillë, dhe vendosja e vijave të kuqe komplikon gjithçka. Ato i shoh si miopi politike, sepse kjo i bie të marrësh një veprim përjashtues dhe mund ta gjesh veten pa asnjë partner. Vijat e kuqe po u vendosen edhe qytetarit të Kosovës. A duam që me vija të kuqe të bllokojmë secilin institucion të Kosovës”, ka thënë Hyseni.

Ai gjithashtu nuk pret ndonjë gjë nga seanca e tre shkurtit.

“Uroj të mos jetë një lojë shtesë, që të provokohet një seancë dhe të shtyhej për orë të tëra. Afati përmbushet nëse nis seanca. Nuk shoh diçka të mirë të dalë nga kjo seancë dhe kjo më bën të mendoj kështu nga arsyeja dhe shkas marr veprimet e njëanshme”, ka thënë Hyseni.