Kandidati për deputet dhe ministri në detyrë, Hysen Durmishi, ka reaguar pas rezultateve zgjedhore duke e cilësuar fitoren si madhështore, historike dhe të padiskutueshme.
Në një postim publik, Durmishi theksoi simbolikën e numrit 24, i cili për të ka një kuptim të veçantë personal dhe politik.
“Dielli ka lindur më datë 24. Për mua kjo datë është simbol shprese, force dhe besimi. Sot, numri 24 mori edhe një kuptim të madh politik: Lëvizja jonë fitoi në 24 komuna”, ka shkruar ai.
Sipas Durmishit, kjo është fitorja më e madhe në historinë e zgjedhjeve demokratike në Kosovë dhe përfaqëson zërin e qytetarëve për dinjitet dhe drejtësi. Ai ka falënderuar qytetarët për, siç u shpreh, “mbështetjen plebishitare”, si dhe aktivistët, anëtarët dhe vullnetarët për angazhimin e tyre të pandërprerë gjatë fushatës.
Durmishi ka shprehur mirënjohje të veçantë edhe për mbi 25 mijë votuesit që i dhanë besimin personalisht, duke e cilësuar këtë mbështetje si një obligim të madh dhe përgjegjësi të shenjtë. Në reagimin e tij, ai nuk la pa përmendur edhe sakrificat familjare gjatë fushatës zgjedhore, duke theksuar se mungesa ndaj fëmijëve të tij, Diellit dhe Hanës, ishte e vështirë, por ata mbetën motivi i tij kryesor.
Falënderimi më i veçantë, sipas tij, i takon bashkëshortes, Mirjetës, për të cilën tha se ishte krahu i tij i djathtë gjatë gjithë fushatës, duke e cilësuar mbështetjen dhe sakrificën e saj si themel të fitores. “Fitorja është e qytetarëve”, ka përfunduar Durmishi.






