Ish-ambasadori

Hysa për deklaratën e Stoltenbergut: Kemi përkushtimin e NATO-s që të mos ketë skenare negative në rajon

Ish-ambasadori i Kosovës në Mal të Zi, Ylber Hysa, ka thënë se deklarata e shefit të NATO-s, Jens Stoltenberg, për tensione të mundshme në rajon menjëherë pas takimit me kryeministrin e Malit të Zi, Millojko Spajiq, tregon edhe porosinë e kësaj deklarate.

Sipas tij, kjo deklaratë është porosi për rajonin dhe mënyrë e përkushtimit të NATO-s që të mos lejojë skenare negative në rajon dhe një lloj përkrahjeje për qeverinë e tanishme në Mal të Zi.

“Porosia mu në Mal të Zi, është porosi për rajonin dhe mënyrë e përkushtimit të mos lërë skenare negative në rajon, mesazh për rajonin dhe të tjerët, përkrahje për qeverinë e tanishme në Mal të Zi të qëndrojë në këtë rrugë”, ka thënë Hysa.

Hysa, në emisionin “FIVE”, ka thënë se kjo deklaratë edhe për Kosovën do të thotë se NATO po përkushtohet për shkak të vlerësimit të situatës që ka qenë pas sulmit në Banjskë më 24 shtator.

“I përkushtohet rëndësisë për shkak të vlerësimit të situatës dhe problemet që kanë qenë këtu si rasti i Banjskës. NATO është këtu dhe është rruga politike që sugjerohet për të zgjedhur konfliktet”, ka vijuar ai.

Ndryshe, sot, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor është ende shumë e brishtë dhe ka potencial për tensione në Kosovë dhe Bosnje – Hercegovinë.

VIDEO BONUS: Sveçla: Dje ne Zveçan e sot në Dragash jemi zotuar, rend dhe ligj anekënd e në çdo cep të Kosovës