Huqja e radhës nga Blerim Reka: Mendon se Gjykata Kushtetuese mori vendimin final për LDK’në

Ministri në detyrë i Integrimeve Evropiane, Blerim Reka, ka vazhduar me gafat e tij, tani ka të bëj me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që lëshoi dje për pezullimin e dekretimit të presidentit Hashim Thaçi.

Reka gafën e radhës ia ka kushtuar Gjykatës Kushtetuese, ai nuk po di ta bën dallimin mes Masës së Përkohshme dhe vendimit finale të Gjykatës Kushtetuese.

Ministri në detyrë e ka cilësuar Masën e Përkohshme të Gjykatës Kushtetuese si vendim final, duke thënë se Gjykata konfirmoi se nuk mund t’i jepet mandati partisë së dytë pa refuzuar e para, e kjo që i bie një huqje nga ky i fundit.

Vet shefi i Rekës, Albin Kurti dje lajmëroi militantët e partisë dhe stafin e tij që mos të entuziazmohen nga kjo Masë e Përkohshme e Gjykatës Kushtetuese, pasi vendimi final akoma nuk është thënë.

Por, duket se ministri në detyrë Reka këtë nuk e ka parë dhe ka vendosur ta shkruan një status se Presidenti Thaçi ka shkelur Kushtetutën dhe se Qeveria e re nuk mund të formohet.

Kujtojmë se ministri në detyrë Reka, pati bërë edhe një deklaratë skandaloze ku pati thënë se Serbisë duhet t’i lihet dalje në Detin Adriatik përmes Kosovës dhe Shqipërisë.

Postimi i plotë nga Reka:

Kushtetuta nuk është roman

Gjykata Kushtetuese e konfirmoi atë që botërisht dihej: nuk mund të krijohet vullnet politik, duke shkelur kushtetutën. Ashtu, siç nuk ngritet shtëpia mbi themele të dyshimta, as nuk formohet qeveria me shkelje të kushtetutës.

Gjykata vetëm konfirmoi, se nuk mund t’i jepet mandati partisë së dytë, pa e refuzuar e para. E kushtetuesja, nuk gjeti provë, se e para këtë e kishte refuzuar! Fundja Gjykata Kushtetuese nuk e shkruan kushtetutën. Ajo vetëm vlerëson, nëse ajo shkelet.

Norma kushtetuese nuk është roman, që nga kritikët letrarë analizohet me pytejen se: “çka ka dashtë të thotë autori”? Ajo vetëm zbaton ate që e ka shkruar “autori”. Jo, siç ne e kuptojmë, por siç e thotë norma kushtetuese. Ajo, nuk e interpreton kushtetutën siç e don, por vetëm siç e ka shkruar kushtetutëdhënësi. E në kushtetutë, nuk shkruan se për sa ditë, partia e parë duhet të dërgojë emrin e mandatarit. Këtë mund ta bëjë vetëm Kuvendi, me ndryshimin e kësaj Kushtetute, ku do të caktojë këtë afat.

Deri sa nuk ka afat të tillë, kushtetuta nuk është shkel nga ai që duhej të dërgonte emrin, por nga ai që nuk e priti dërgimin e emrit të mandatarit. Më qartë se kaq nuk shkon.

Nëse, prap nuk e kuptoni, lexoni Kelsenin – “babën” e konstitucionalizmit.