Hungaria ashpërson rregullat për abortin

Qeveria hungareze ka lëshuar një dekret përmes së cilit kërkohet që mjekët t’u tregojnë grave që duan të kryejnë abort, shenjat vitale të fetusit. Ky obligim paraqet ashpërsim të rregullave relativisht liberale të abortit në Hungari. Ky rregull hyn në fuqi më 15 shtator.

Ministria e Brendshme e Hungarisë tha se “gati dy e tretave e hungarezëve e lidhin fillimin e jetës së një fëmije me rrahjet e para të zemrës” dhe se pajisjet moderne mund të detektojnë rrahjet e zemrës së fetusit në fillim të shtatzënisë, gjë që mund t’u “japë informacion më të plotë grave shtatzëna”.

Ligjet e abortit në Hungari janë relativisht liberale dhe kanë mbetur pothuajse të pandryshuara qëkur aborti u lejua më 1953.

Qeveria nacionaliste hungareze, e udhëhequr nga kryeministri Viktor Orban, e portretizon veten si kampione të vlerave të familjes tradicionale dhe ka ofruar shkurtime tatimore dhe subvencione për familjet që kanë shumë fëmijë, në përpjekje për të rritur nivelin e natalitetit.