Dy zyrtarë policorë të stacionit të Policisë në Mitrovicë, janë duke u hetuar për shkak të sjelljes së dhunshme ndaj një qytetari të arrestuar. Në një incizim të publikuar në media, zyrtarët policorë dëgjohen duke e rrahur e duke e fyer qytetarin. Inspektorati Policor i Kosovës tashmë ka nisur procedurat ndaj zyrtarëve policorë që janë të përfshirë në këtë rast.
“Ulu tash, çfarë filozofi je, lëshoje këtë telefon. N’qeli ki me shku, a ke qenë naj herë? Eh, qaty ki me shku”, dëgjohet duke i thënë zyrtarja policore T.M., qytetarit të cilin e kishin arrestuar për sulm dhe dhunë në familje.
Pas këtyre fjalëve, një polic tjetër dëgjohet duke e goditur qytetarin.
Ndërkohë, kur qytetari iu thotë se i ka prindërit e sëmurë dhe brengoset për shëndetin e tyre, policja fillon të ironizojë me të.
“Jo s’kam, i kam vra të dytë, unë i kam vra me dorën teme, për qata s’i kam asnjanin. Unë i kam vra të dy, me dorë teme”, i thotë policja qytetarit kur ai e pyet se a ka prind.
Ndërkohë, lidhur me krejt këto, Inspektorati Policor i Kosovës ka filluar hetimet ndaj dy zyrtarëve policorë.
Në një përgjigje për Express, IPK ka deklaruar se pas ankesës së qytetarit, janë identifikuar zyrtarët policorë, të cilët dyshohen për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”.
“Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) respektivisht Departamenti i Hetimeve ka pranuar ankesën nga qytetari në fjalë dhe lidhur me këtë rast hetuesit janë duke zhvilluar hetim me dyshimin se zyrtarët policorë janë të dyshuar për veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”, ka deklaruar IPK.
Inspektorati Policor thotë se zyrtarët policorë janë intervistuar si të dyshuar dhe ndaj tyre do të ngrihet aktakuzë.
“Në kuadër të këtij hetimi janë identifikuar zyrtarët policorë të cilët janë intervistuar si të dyshuar dhe në koordinim me prokurorinë kompetente ndaj të njëjtëve do të ngrihet kallëzim penal me dyshimin se kanë kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare””, thuhet në përgjigjen e IPK’së.
Më poshtë mund ta lexoni të transkriptuar bisedën ndërmjet qytetarit dhe zyrtarëve policorë, të publikuar nga InDoks.
Qytetari: Unë të tregova, kur të vjen avokati foli.
POLICËT: Thirre more avokatin, thirre.
Q: A e thirri?
P: Thirre, ulu aty
Q: po po e thirri tash
P: Ulu tashë, ulu, çfarë filozofi je ti kështu (dëgjohet duke e goditur) lësho këtë telefon.
Q: Po po e thirri avokatin tash
P: Hiqe telefonin se po t’i thej huntë (dëgjohet duke e goditur), ti me u çun ë këmbë kur të duash a, ulu aty, mos më këqyr se po t’i thej hunët, filozof, se s’jam tu mshef kurgjo, mos më këqyr.
P: As s’jena tu u lodhë për atë, se herët ia ke nisë me filozofu.
P: Ki me shku n’qeli, n’qeli ki me shku
Q: A bon veç pak, babën e kam prej kanceri, nanën e kam prej zemre, nëse doni me i pa në spital mundeni me m’çu në qeli, s’o problem
P: Oooo n’qeli ki me shku, a je kon naj here, e n’qeli ki me shku. Filozofi i zanave, mësuesi i zanave, ti mësues.
P: Ju na e q*** nanen na e shkatërruat vendin, qifti yt, mësues ti. Filozof, ti.
Q: Policia e Obiliqit më thanë me lypë avokat.
P: Po de, kon po e don, ta thirri
Q: Fehmiun
P: A e ki numrin
Q: Jo. Ata më thanë vetë ta thirrin, unë qysh me jep deklaratë kur nuk është avokati, unë s’e ndi vetën të sigurt, a po e sheh?
P: Mos jep more, mos jep. Ki të drejtë, e ki të drejtën tënde të mbrojtjes në heshtje, a po do mos me jep?
…
P: Rri qashtu, një muaj ditë qeshtu këna me nejt
Q: E pse me nejt, pse po lidhni inati me mu. Çka ju kam ba?
P: Kush po lidhë inati me ty, kush je ti që po lidhim inati me ty? Kush je ti? Kush je ti? Kush je tiii?
Q: Avokat po kërkoj unë, të drejtën time, unë po tregoj, në qoftë se keni prindë, unë babën…
Policja: Jo s’kam, i kam vra të dytë, unë i kam vra me dorën teme, për qata s’i kam asnjanin. Unë i kam vra të dy, me dorë teme.
Q: Unë personale s’e kam asgjë me ty
P: Jo as unë me ty
Q: Jo valla ti e qite në personale, qysh më sjelle (rrahe)
P: Po a? A ti k*** përpjetë, çka të duash me bo a?
Policja e thërret një avokat, ngacmim dhe dhunë në familje
Qytetari dëgjohet duke qajtur
P: Mos më rrej këtu me shpifë, se hunët t’i thej, këtë në gojë ta rrasi deri në gërklan, mos më rrej se të rrehi, tokë të bëj, pisi i thiut, mos mu shtiho pis, shtihan. Shtihani i thiut, o me u çu tokë të bëj, kur të rrehi përnime, britë kam me t’i thy, o shtihan.







