Fatmir Humolli

Humolli: E mbështesin Radojçiqin në Kuvend, ndërsa godasin veteranët

Deputeti i pavarur, Fatmir Humolli, ka theksuar për rëndësinë e funksionimit të shtetit të Kosovës në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën.

Pos kësaj, ai ka shprehur domosdoshmërinë se çdo gjë që shkel këto norma është e paligjshme, duke përfshirë këtu edhe funksionimin e dinarit në Kosovë.

Sipas tij, sot po goditen veteranët e luftës dhe tendenca është për t’i futur në luftë qytetarë e veteranë në mes vete.

“Qeveria aktuale sot i len veteranët me 170 euro dhe i paguan në mënyrë poshtëruese. Me ardhë në pytje ushtari i UÇK-së, me votu kundër veteranit të luftës është për mjerim. Me ardhë në shprehje veterani i luftës në Kuvend të Kosovës mes Radojçiqit dhe propozimit tem me votu për Radojçiqin, kjo është tmerr. Kjo ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës, ku deputeti i Kosovës ka qenë në krah të Radojçiqit dhe jo në propozimin tim”, ka thënë Humolli.

Tutje, ai, në emisionin “Five” në RTV Dukagjini, tha se ndërkombëtarët e kanë zhbërë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Ne na ka nxënë lufta shumë të paorganizuar, lufta e UÇK-së dhe ne në luftë e sipër jemi organizuar dhe kemi detyruar bashkësinë ndërkombëtare për të intervenuar. Kurse të njëjtën periudhë tash ata të cilët e kanë zhvilluar luftën speciale viteve të ’90-ta kundër të burgosurve politikë e viteve të 80’ta kundër veprimtarëve politikë. Mas luftës e kanë filluar luftën politike speciale kundër veteranëvë të luftës, kundër institucioneve të cilët kanë punuar për çlirimin e vendit tonë”, ka vijuar ai.

Më tej, ai ka thënë se “bashkësia ndërkombëtare së bashku me Serbinë, një institucion që e kemi krijuar me gjak e ka zhbë UÇK-në. Ata që s’ka mujt Serbia me shkatërru, e kanë shkatërruar mekanizmat ndërkombëtarë së bashku me klasën tonë politike, e cila nuk e ka vlerësuar pozicionin politik pse janë këto veprime”.

“Sot nuk kuptohet se çfarë dëmi bënë kur e godet veteranin e luftës, çfarë dëmi i bënë ardhmërisë sonë. Ai mendon që po e mbron buxhetin e Kosovës prej një veterani të luftës, a nuk e kupton që duke goditur veteranin e luftës, ti ke goditur moralin luftarak të një kategorie njerëzish, ata të cilët luftojnë për vend, edhe Serbia na ka goditur ashtu”, ka vijuar ai.

“Shteti i Kosovës duhet të funksionojë si shtet në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën. Gjithçka që është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës është veprim ilegal. Dinari në Kosovë ka funksionuar ilegalisht, e përderisa ka funksionuar ilegalisht e ka për detyrë shteti me marrë masa kundër çdo veprimi që bëhet ilegalisht në vend tonë”, është shprehur Humolli.

VIDEO BONUS: Keqpërdorime në njësinë për patentë shoferë në Pejë, Durmishi paralajmëron anulimin e provimeve