Humbjet bilaterale të fitoreve multilaterale

Vazhdon tregtia diplomatike: njohje për territor

1.

Nga gushti i kaluar, kur Vuçiqi inauguroi atë që ai e quajti “marrëveshje finale historike me Prishtinën”, Serbia vazhdon ta “bindë” botën se “humb në paqe, atë që e fiton në luftë”. Kësaj, pakkush i beson, sepse nga një “Pashallëk i Beogradit” (1804), pikërisht, ajo ishte shtuar tri herë territorialisht, për dallim nga Shqipëria e zvogëluar po aq.

Territori, prandaj mbetet thelbi i kontestit shqiptaro-serb. Mosnjohja e kufijve shqiptarë nga Beogradi mbajti peng paqen ballkanike plot një shekull. Dhe, siç po shihet, po bllokon stabilitetin dhe sigurinë rajonale edhe në fillim të këtij shekulli.

A ka kush që është kundër marrëveshjes, siç po quhet “historike”? Nuk besoj, por kjo “marrëveshja historike” nuk duhet të jetë vetëm zgjidhje finale, por edhe e drejtë.

Tërheqja e kufijve, ndërkaq asnjëherë nuk ishte e drejtë gjatë historisë. Pse ndryshe kemi aq shumë çështje të hapura ndërshtetërore, që lindën pikërisht nga “marrëveshjet”, që shpalleshin si “historike”, por nga popujt e ndarë, pastaj krijuan pakica kombëtare? Rasti i shqiptarëve e dëshmon këtë më së miri: jetojnë në pesë shtete të Ballkanit, por të kufizuar me vetveten, në të dy anët e këtyre kufijve shtetërorë.

2.

Historia shqiptare e marrëveshjeve bilaterale me Serbinë ishte gjithnjë e dëmshme dhe prandaj droja është se ajo mund të përsëritet edhe sot. Edhe atë pak territor, që i ishte njohur Shqipërisë- multilateralisht (nga konferencat ndërkombëtare) ajo do ta humbte më vonë bilateralisht (në marrëveshjet pasuese me Serbinë).Fillimisht me “Marrëveshjen e Nishit” (Esat Pashë Toptani- Pashiq, 1914), pastaj me atë Toptani- Jovanoviq (1915), tutje me Marrëveshjen e Beogradit: Zogu- Pashiq (1924), dhe me “Komuniken e Beogradit”: Hoxha- Tito (1946).

Me këto katër marrëveshje bilaterale shqiptaro-serbe, nënshkruesit: ”në emër të Shqipërisë” kishin pranuar cedimet territoriale në favor të Beogradit për njohjen e qeverive të kryesuara prej tyre.

Pranimi qeveritar duhej paguar me tokë, si të vetmin mjet këmbimi që e njihte Beogradi në tregtinë e saj diplomatike. Qoftë me cedim të pjesshëm, me shkrirje në kuadër të Mbretërisë Jugosllave apo si “Republika e shtatë” komuniste e Jugosllavisë Federative.

Me marrëveshjen e parë (1914) ishte nënshkruar se “kufiri midis dy shteteve nuk ishte përfundimtar” (neni 10), që i hapi rrugën ekspansionit territorial serb.

Më marrëveshjen e dytë, me të cilën: “Serbia do ta mbronte Shqipërinë nga copëtimi” (neni I), kontestoheshin “kufijtë e natyrshëm të Shqipërisë, sepse ata ishin vendosur nga Austria” (neni II).

Ndërkaq, me të tretën marrëveshje bilaterale shqiptaro-serbe, madje “Shqipëria i bashkohej Jugosllavisë në bashkim personal” (neni 1), pra nën kurorën e Karagjorgjevqëve (neni 2).

Kështu ishte para dhe pas Luftës së Parë Botërore.

Ndërkaq, pas Luftës së Dytë Botërore, komunizmi jugosllav zëvendësoi mbretërinë e sllavëve të jugut, por jo edhe tregtinë: ”njohje për territor” në raport me shqiptarët.

Në vizitën e parë në Beograd, një vit pas luftës, Enver Hoxha do ta flijonte vetëvendosjen e Bujaninit (1943-1944), për ulësen e Shqipërisë në OKB (“falë mbështetjes së vëllezërve jugosllavë”).

Sikurse që atëherë Tirana fali Kosovën për anëtarësimin e saj në organizatën botërore, edhe sot Vuçiqi për anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara po kërkon çerekun e territorit të Kosovës. Bllokadat në UNESCO dhe INTERPOL e provuan më së miri se tregtia serbe: “territor për OKB” vazhdon ende. Madje, edhe me gjithë bumerangun e saj diplomatik: disfatës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në 2010.

3.

Marrëveshjet bilaterale me Serbinë i nxorën çdoherë shqiptarët palë humbëse. Jo rastësisht edhe tash Vuçiqi plason tezën se “ne vetë- pa ndërhyrje nga jashtë- mund ta zgjidhim çështjen e fundit të hapur në Ballkan”, duke tentuar kështu që pos përvetësimit territorial të prishë edhe ato pak aleanca ndërkombëtare të ndërtuara me aq mund nga shqiptarët për të evituar ndërmjetësimin ndërkombëtar në këto tratativa bilaterale me Kosovën. Nga rrafshi multilateral (në të cilin u vendos Kosova para dy dekadash), në atë bilateral (siç po tenton Beogradi sot).

Atëherë, Serbia,me marrëveshjet bilaterale me Shqipërinë, kishte arritur që kjo e fundit të nënshkruante vetë se “nuk duhej pranuar kufijtë e saj të imponuar nga Austria”.

Sot po mundohet të na bindë se nuk duhej pranuar kufijtë e Kosovës, siç i quan ajo: “të imponuar nga SHBA-ja” e të mbrojtur nga Gjermania.

Kush do të besonte se, dy dekada pas de-kolonizimit të Kosovës, kolonizatori do të kthehej të merrte një pjesë të ish-kolonisë, dhe madje ta ndërsente atë për t’u ngritur – kundër atyre që i ndihmuan të de-kolonizohej?