Humbja në peshë e Kim Jong-un mbjell frikë e spekulime pas rishfaqjes së diktatorit (fotot)

Kim Jong Un dukej sot mjaft më i dobët në shfaqjen e parë në publik në më shumë se një muaj, duke ngritur spekulime për çështje të mundshme shëndetësore për diktatorin rigoroz të Koresë së Veriut.

Kim, format e rënda të së cilit kanë qenë shpesh objekt interesi dhe satire në mediat perëndimore që kur erdhi në pushtet gati një dekadë më parë, dukej mjaft më i tonifikuar në imazhet e mediave shtetërore të publikuara kësaj jave, sipas agjencisë koreano-jugore Yonhap.

Rrjeti NK News kishte analizuar fotot e Kim që fliste në mbledhjen e byrosë politike të vendit dhe arrinte në konkluzionin se kishte “humbur një masë të konsiderueshme të peshës”.

Rrjeti nga Seul publikonte imazhe të zmadhuara që sugjeronin se Kim, i cili besohet se është 37 vjeç, kishte vënë në kyç orën e tij të preferuar me rrip lëkurë, me vlerë rreth $12,000.

Fotot tregonin se kyçi i dorës së tij ishte më i dobësuar se në imazhe të vitit  2020 apo dhe të marsit të këtij viti.

Kim është duhanpirës i rregullt dhe është përballur me një seri gjendjesh problematike shëndetësore prej peshës së tij dhe stilit të jetesës, ndërsa babai i tij Kim Jong-il, vdiq nga një atak kardiak në dhjetor 2011.

Inteligjenca koreano-jugore ka thënë vitin e kaluar se Kim peshonte 140kg dhe besohet se ka shtuar të tjera që prej ardhjes në pushtet 2011.

Ndërsa nuk është e qartë nëse pamja e tij e ndryshuar së fundmi është rezultat i sëmundjeve apo i vendimit të vetëdijshëm për të punuar për humbjen në peshë.

Një analist i NK News thotë se lideri komunist mund të ketë vendosur të dobësohet për të përmirësuar imazhin e vet me popullin. Vendi përballet me mangësi në ushqime prej krizës ekonomike të sanksioneve të SHBA dhe rënies së nivelit të tregtisë me Kinën gjatë periudhës së pandemisë.

Shëndeti i Kim ka qenë objekt spekulimesh të shpeshta prej vitit 2014, kur ai u zhduk nga syri publik për gjashtë muaj, para se të rishfaqej me një shkop për të ecur.

Asokohe shumë nga raportimet flisnin se lideri kishte vdekur por me pas mediat sugjeronin se po rekuperohej nga një operacion në zemër.