Humbja befasuese nga Arabia Saudite, Messi flet i zhgënjyer: Kurrë nuk kam marrë një goditje të tillë

Befasinë më të madhe të Kupës së Botës deri më tani e ka shkaktuar reprezentacioni i Arabisë Saudite e cila triumfoi me përmbysje kundër favoritit, Argjentinës së Lionel Messit.

Arabia Saudite triumfoi 1:2 ndaj Argjentinës në takimin e vlefshëm për Grupit C në Kupën e Botës “Katar 2022”.

Ylli i Kombëtares argjentinase, Lionel Messi pas ndeshjes është shprehur i zhgënjyer me disfatën, duke thënë se ka qenë goditje e cila nuk i ka ndodhur më parë.

“Gabimet brenda pesë minutave na kushtuan me rezultatin 2:1. Ne u ngatërruam dhe pas golave gjërat u komplikuan edhe më shumë. Nuk ka arsyetime për golat që nuk na i pranuan, pasi ishin në pozitë jashtë loje. E kemi ditur se Arabia Saudite është një ekip që nëse e lejon të luaj, do të shkaktojë telashe. Ata luajtën shumë mirë”, ka deklaruar Messi, raportojnë mediat ndërkombëtare, transmeton Demokracia.com.

“Kurrë nuk kam marrë një goditje kaq të fortë me këtë grup lojtarësh. Gjërat ndodhin për një arsye. Tani, padyshim se duhet t’i fitojmë dy ndeshjet tjera”, ka shtuar ylli argjentinas.