Lajmi I Fundit

Humbi tre anëtarë të familjes nga Covid-19, Selaci: Ju që i thurni lavde kësaj Qeverie, hiçmuni sysh

Profesori universitar i Sociologjisë, Gëzim Selaci, ka thurur një varg kritikash ndaj Qeverisë Kurti për mënyrën e menaxhimit të pandemisë, derisa ka cekur se ai ka humbur tre familjarë përbrenda një periudhe të shkurtë për shkak të Covid-19.

Selaci, me anë të një postimi në ‘Facebook’, ka kërkuar që të mbajë sa më larg postimet që preokupojnë qeveritarët.

“Pash jetën, së paku vetëm një ditë, pa lavde e surrata të politikanëve! Ju që i thurni lavde kësaj qeverie ose qitni surratat e tyne në profile private, portale lajmesh e ekrane televizive, hiçmuni sysh, së paku sot. Këto ditë kam pasë tri raste të vdekjes nga Virusi në familje, dy në familjen e gruas sime dhe një në familjen time, andaj nuk mund të duroj surratat e zgërDhimë të atyre që e qeverisën drejt vdekjes një babë dhe vajzën e tij të re, dhe një nënë bashkë me fëmijën në barkun e saj, si dhe shumë raste të tjera tragjike”, ka shkruar ai.

Ai, tutje ka vazhduar kritikat ndaj qeverisë për hapjen e menjëhershme të vendit, derisa e ka parë të paarsyeshme edhe fushatën zgjedhore për zgjedhjet komunale të 17 tetorit.

Postimi i plotë:

Status me zemërin e frikë,

Pash jetën, së paku vetëm një ditë, pa lavde e surrata të politikanëve! Ju që i thurni lavde kësaj qeverie ose qitni surratat e tyne në profile private, portale lajmesh e ekrane televizive, hiçmuni sysh, së paku sot. Këto ditë kam pasë tri raste të vdekjes nga Virusi në familje, dy në familjen e gruas sime dhe një në familjen time, andaj nuk mund të duroj surratat e zgërDhimë të atyre që e qeverisën drejt vdekjes një babë dhe vajzën e tij të re, dhe një nënë bashkë me fëmijën në barkun e saj, si dhe shumë raste të tjera tragjike.

Edhe po, i zemëruar jam, dhe mendoj se flas në emër të të gjithë të zemëruarve që fajësojnë këtë qeverisje të papërgjegjshme për humbjen e jetëve të të dashurve të tyre nga Virusi. E akuzoj qeverinë që jo që nuk ndërmori kurrfarë fushate vetëdijësuese për rrezikun e Virusit dhe programe edukimi për mbrojtjen prej tij, por me muaj të tanë lejoi rrëmujë në kafe, restorane, klube, salla dasmash, tregje, koncerte, festivale, klube, rrugë e aeroport, duke lënë kështu përshtypjen se iku virusi, e duke u thënë qytetarëve se s’ka rrezik, s’ka krizë! Tash, guxojnë të na thonë se do të ketë edhe fushatë zgjedhore!

Nuk jam nga ata naivët që presin njëfarë shpëtimi si mesianik nga politika ose shpresojnë qeverisje sipas modelit nordik, por pritshmëritë i kam goxha të ulëta nga politika, duke pasë parasyshë rrethanat politike, socioekonomike dhe kulturore në vend. Kështu, politikës i falë dhe i kisha falë shumë paaftësi, papërgjegjshmëri, mbrapshti e padrejtësi në qeverisje. Mirëpo, kur na udhëheqin politikanë kaq të pandjeshëm për vleftën e jetës së njeriut, nuk di çfarë tjetër duhet me ndodhë për mos me u zemëru me qeverinë aktuale dhe mos me u frikësu nga ajo!

Për fund, secilin mik/e që e sheh këtë postim dhe nuk i kushton zemra të shprehë zemërim me këtë qeverisje ose druan që nëse shpreh zemërim rrezikon ndonjë privilegj që e gëzon ose e shpreson nga pushteti, e lus që të ndihet i/e lirë t’i japë fund miqësisë virtuale me mua këtu. Nuk na duhet miqësi, as reale, as virtulale, nëse nuk themelohet mbi respektin e pakusht për jetën e njeriut!