NBA

Humbasin të mëdhatë, Cleveland e Oklahoma në krizë

Mbrëmje jo për skuadrat e mëdha në NBA. Kampionët në fuqi të Golden State Warriors pësuan humbjen e parë sezonale pas dy fitoreve në dy ndeshjet e para.

Në Pepsi Center të Colorados, Denver Nuggets konfirmoi momentin pozitiv që po kalon duke mposhtur me rezultatin e ngushtë 100-98 skuadrën e Steve Kerr. 30 pikët por edhe 6 asiste dhe 4 topa të kontrolluar poshtë tabelës nga ylli i Warriors Stephen Curry ishin të pamjaftueshme që miqtë të merrnin fitoren e 3-të rresht në këtë fillim sezoni të NBA.

Te Denveri që mori fitoren e tretë në 3 takime shkëlqyen Harris me 28 pikë dhe serbi Nikola Jokic autori i 23 pikëve ndërsa i ndihmoi të tijët edhe me 6 asiste e 11 rebound.

Pësoi humbjen e dytë sezonale edhe kandidatja më e fortë për të zbritur Golden State nga froni në konferencën e Perëndimit.

Houston Rockets u dorëzua përballë Los Angeles Clippers me rezultatin e ngushtë 115-112. Në Staples Center më i miri mbi parket ishte i përhershmi James Harden me 31 pikë 14 asiste dhe 4 topa të kontrolluar poshtë tabelës, statistika gjthsesi të pamjaftueshme të mjekëroshit për të evituar humbjen e skuadrës teksane.

Vijon kriza e Cleveland Cavaliers. Pa Lebron James skuadra nga Ohio nuk ka më një lider dhe këtë herë u thye në shtëpi me rezultatin e thellë 133-111 nga Atlanta Hawks. Disfata e tretë kjo në 3 takime për Cavaliers të cilët edhe pse e nisën shumë mirë sfidën u shkërmoqën në fund falë edhe lojës së mirë të Tree Young i cili realizoi 35 pikë për skuadrën nga Georgia.

As rikthimi i Rusell Westbrook nuk i bëri punë Oklahoma City Thunder për të marrë fitoren e parë sezonale. Në Chesapeake Energy Arena ylli i City Thunder shkëlqeu me 32 pikë 8 asiste dhe 12 rebound, por Oklahoma u dorëzua përballë Sacramento Kings me rezultatin 120-131, edhe pse për vendasit u paraqit shumë mirë edhe Paul George që realizoi 29 pikë, megjithatë diferencën e bëri loja e mirë në grup e Kings.