Prokuroria Speciale e Kosovës po zhvillon hetime pas hulumtimit të KALLXO.com i cili shpërfaq ndërhyrjen e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi në procesin e shpronësimit në fshatin Shipitullë të Obiliqit.

Thaçi tanimë zyrtarisht është edhe kandidat i LVV-së për kryetar të Komunës së  Obiliqit për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.

Në pyetjet dërguar Prokurorisë Speciale nga KALLXO.com për rastin e deputetit Thaçi, kjo Prokurori ka konfirmuar hetimet.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është duke zhvilluar hetime lidhur me rastin për të cilin keni adresuar pyetje” – thuhet mes tjerash në përgjigje.

Nga kjo Prokurori kanë deklaruar se janë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.

“Rasti konkret është duke u trajtuar brenda afatit ligjor, sipas Kodit të Procedurës Penale. Prokurori i rastit është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, por me qëllimin për ruajtjen e integritetit të procesit hetimor në këtë fazë nuk mund të ndajmë më shumë informacione” – thuhet tutje në përgjigje.

Ky rast fillimisht ishte dërguar në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, të cilët kanë deleguar rastin në Prokurorinë Speciale.