Dardan Gashi: Janë dy çelësa të kishës, njërin e ka Liburn Aliu

Kisha Ortodokse Serbe sot mbajti liturgji fetare në kishën që gjendet Kampusit Universitar të Prishtinës. Kjo ishte hera e parë e mbajtjes së kësaj ceremonie fetare që nga paslufta, për çka pati reagime të shumta, përpos nga institucionet vendore. Ish-ministri i Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi ka treguar për një marrëveshje për mbajtjen mbyllur të kësaj kishe që ishte bërë gjatë mandatit të tij dikur.

Ish-ministri Dardan Gashi ka sqaruar kompetencat e ministrisë së Planifikimit Hapësinor dhe mirëmbajtjes së Kishës Ortodokse, ku përmes një marrëveshjeje të vitit 2013, ndërmjet ministrisë përkatëse, Kishës Ortodokse, zyrës së BE’së në Kosovë, ambasadës britanike dhe asaj amerikane, dyert e Kishës ishin mbyllur me çelës dhe brenda saj nuk do të mund të hyhej pa miratimin e palëve.

‘’Në vitin 2013, kur kam qenë ministër, bashkëkryesues sa i përket kësaj kishe, kur kanë ndodh disa incidente, kemi marrë vendim që të mbyllet dhe të vihen çelësat. Një çelës i takon ministrisë dhe një çelës i takon Kishës Ortodokse dhe që asnjë aktivitet të mos merret pa dakordimin e dy palëve për të mos pasë provokime. Nëse sot ka ndodh kjo liturgji, në një kishë që nuk është e dedikume si kishë e institucioneve të Kosovës, natyrisht që ky është një lëshim i madh i institucioneve të Kosovës dhe një provokim njëkohësisht i Kishës Ortodokse Serbe’’, ka thënë Gashi për Periskopin.

Tutje Gashi ngreh dyshimin që ose është thyer dryni i Kishës ose ky është lëshim i vet ministrisë së Planifikimit Hapësinor.

‘’Përgjegjësia duhet të kërkohet nga ministri aktual sepse ka leju një gjë të tillë dhe a ia ka dhënë ministria çelësin apo e ka thy Kisha në mënyrë ilegale drynin. Kjo duhet të sqarohet. Pra është marrëveshje e nënshkruar në atë kohë. Njëra palë s’ka mujt me hy pa tjetrën. Nëse dje ka shku njëra palë, ose është shkelje, ose lëshim nga insitucionet dhe mu më duket që është lëshim dhe provokim i Kishës. Duhet pasë përgjegjësi nga insitucionet dhe ato të reagojnë’’, thekson ai.

Gashi po ashtu befasohet pse ende nuk ka asnjë reagim nga institucionet e vendit.