Hoxhaj: Vijat e kuqe që po na vënë partitë tjera, ftesë për ta votuar PDK-në

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se vijat e kuqe që i kanë vendosur oponentët politikë për këtë parti, po e forcojnë më tepër atë. Ai e ka parë këtë si ftesë për elektoratin që ta votojnë PDK-në.

Në Interaktiv të KTV-së, Hoxhaj ka thënë se PDK-ja nuk ka treguar ndonjë vullnet politik e as shenjën më të vogël që të garojë bashkë me të tjerët në koalicion parazgjedhor.

“PDK-ja garon e vetme, me logon, sloganin dhe programin e saj. Nuk përjashtojmë ndonjë bashkëpunim me parti joparlamentare, por nuk bëjmë koalicion me parti të mëdha. Kësaj here, lista do të jetë befasi e madhe, me emra eminentë, e kandidati jonë për kryeministër është person që e mobilizon elektoratin e PDK-së”, ka thënë Hoxhaj.

Ai ka thënë se PDK-ja ka mësuar nga ajo që kjo parti ka bërë në dy herët e kaluar.

“Mendoj se kemi mësuar madje jo vetëm ne, por edhe oponentët tanë”, ka thënë Hoxhaj.

“Partitë e tjera kanë bërë koalicion pasi i kanë parë sondazhet interne. Fakti është se në sondazhet tona ne prijmë. Koalicionet parazgjedhore më nuk janë praktikë për PDK-në, këtë kapitull e kemi mbyllur dhe jemi kthyer në traditë ku kryetari i partisë i prinë garës për kryeministër”, ka thënë Hoxhaj.

Megjithatë, ai ka shtuar se “vijat e kuqe që i kanë vendosur për ne janë ftesë për elektoratin tonë që ta votojnë PDK-në”.

“Nuk ka subjekt politik që ka makineri më të organizuar sesa PDK-ja. Vetëm në zgjedhje kanë marrë pjesë 50 mijë persona. Nëse secili prej tyre sjell edhe 3 vota të tjera pos të vetës, ne jemi fitues”, ka thënë Hoxhaj.

loading…