Hoxhaj uron Krasniqin: Lajm i mirë për PDK’në, partia ka nevojë të hapet

Ish-ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK’së, Enver Hoxhaj, e ka uruar kryetarin e sapozgjedhur të kësaj partie, Memli Krasniqin, teksa ka kërkuar reformim të strukturave.

Hoxhaj, me anë të një postimi në llogarinë e tij në ‘Facebook’, ka deklaruar se përgjatë Konventës zgjedhore, e dhjeta me radhë për këtë subjekt politik, është ndjerë mungesa e ish-krerëve të PDK’së, të cilët po gjykohen në Hagë për krime lufte.

“Zgjedhja e mikut e bashkëpunëtorit tim, Memli Krasniqi në krye të PDK-së është një nevojë dhe domosdoshmëri. Është lajm i mirë për PDK-në dhe për Kosovën. Partia ka nevojë të hapet dhe të reformohet por asnjëherë ta harroj të kaluarën e saj që buron tek lufta çlirimtare”, thuhet në postimin e tij.

“Në Konventën e dhjetë zgjedhore të partisë, të gjithë e kemi ndjerë mungesën e liderëve historik Hashim Thaçi e Kadri Veseli, por kemi debatuar  e vepruar me shikimin nga e ardhmja”, deklarohet tutje.Reklamë

Krasniqi u zgjodh kryetar i PDK-së në Konventën e 10-të të partisë, e cila u mbajt pasi dha dorëheqje ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Hoxhaj. Ky i fundit këtë pozitë e mori pasi ish-kryetari i kësaj partie, Kadri Veseli, dha dorëheqje nga të gjitha strukturat pas konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale.

Nga 494 delegatë që morën pjesë në Konventë, 487 prej tyre votuan pro Krasniqit, kurse 7 prej tyre ishin kundër.