Hoxhaj: Me ‘Fake News’, mediat e Vuçiqit po bëjnë presion mbi shqiptarët e Luginës

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, i është rikthyer “diplomacisë digjitale”.

Duke iu referuar një artikulli të publikuar nga portali “Informer” në Serbi, i cili njihet për publikimin e lajmeve të rreme, Hoxhaj ka thënë se Serbia po vazhdon luftën e saj përmes fushatës informative me lajme të pavërteta.

Në një postim në Twitter, Hoxhaj ka thënë se kjo tregon që Serbia nuk ka ndryshuar aspak që nga koha e Millosheviqit, pasi mediat e Vuçiqit po ushtrojnë presion ndaj shqiptarëve të Preshevës përmes propagandës dhe akuzave të rrejshme se gjoja ata janë kërcënim i sigurisë.

“Serbia vazhdon luftën e saj informative përmes lajmeve të rreme. Kjo tregon që Serbia s’ka ndryshuar aspak që nga Millosheviqi, pasi që mediat e Vuçiqit vazhdojnë të bëjnë presion ndaj shqiptarëve të Preshevës duke bërë propagandë dhe akuza të rrejshme që gjoja ata janë kërcënim i sigurisë. Non-sens!”, ka shkruar Hoxhaj.