Zv/kryeministri

Hoxhaj: Ne blejmë 400 milionë euro mallra nga Serbia, ata bëjnë fushatë të ndytë kundër nesh

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se masa mbrojtëse prej 10 për qind e vendosur nga Qeveria e Kosovës, për produktet e importuar nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, i mbron interesat e shtetit të Kosovës, sovranitetin, integritetin territorial, por mbi të gjitha i mbron edhe prodhimet vendore.

Hoxhaj në një intervistë për Telegrafin. theksoi se ky vendim është marrë në mënyrë që Serbia mos të financoj më tutje me parat e qytetarëve të Kosovës, një fushatë kundër Kosovës në një gjeografi globale.

“Serbia këto muajt e fundit është duke bërë një fushatë të ndytë në raport me sovranitetin e Kosovës. Në gjeografi të ndryshme janë duke bërë përpjekje që të tërheqin njohjen e Kosovës, janë duke bërë përpjekje që të godasin sovranitetin e Kosovës, ta minojnë shtetësinë e Kosovës. Kështu, meqë Kosova është një vend ku Serbia eksporton produkte të shumta dhe qarkullimi vjetor i tregtisë mes Kosovës dhe Serbisë është diku rreth 400 milionë euro, ne si Qeveri kemi vendosur të vendosim masa ekonomike në raport me Serbinë. Vendimi ka qenë një vendim i një sjellje shtetërore me qëllim që Serbia mos të financojë më tutje me paratë e qytetarëve të Kosovës një fushatë kundër Kosovës në një gjeografi globale”, ka thënë Hoxhaj.

Sipas tij, ky vendim do ta dëmtojë ekonominë serbe.

Ai tutje tha se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të mbajë këtë vendim.

“Nëse ata e kanë luksin që të vazhdojnë, edhe ne do të qëndrojmë me vendimin që e kemi marrë si Qeveri e Republikës së Kosovës. Mendoj se vendimi si i tillë, i mbron interesat e shtetit të Kosovës, sovranitetin e Kosovës, integritetin territorial, por mbi të gjitha i mbron edhe prodhimet vendore”, u shpreh Hoxhaj.

Ai po ashtu ka ftuar qytetarët e Kosovës që sa më shumë t’i bojkotojnë produktet serbe dhe të blejnë mallra të cilat prodhohen në Kosovë.

“Dikur i kemi thënë jo regjimit të Millosheviqit përmes bojkotit, rezistencës civile, luftës së armatosur – sot duam ta bllokojmë ekonominë serbe dhe vendimi është i duhur”, tha ndër të tjera zëvendëskryeministri, Enver Hoxhaj.