Hoxhaj, Mustafës: Tregoji elektoratit pse i pranon në shtëpi ata që gjuajtën me molotov

Sot lideri i LDK-së, Isa Mustafa, iu ka përgjigjur akuzave që vinin nga PDK-ja dhe kryetari i saj, Kadri Vesli. Në një postim në Facebook, ai se tha LDK-ja i fton të maten në zgjedhje.

“Ejani të matemi në zgjedhje, i respektojmë rregullat, pastaj rreshtohemi për dialog me një qeveri të shumicës”, ka shkruar ai.

Zëvendëskryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, i është kundërpërgjigjur përmes Facebookut, duke i thënë se në politikë, jo gjithmonë ka bërë lëvizje të duhura Mustafa.

“Kam pasur dhe ende kam respekt për Isa Mustafën, si profesor dhe politikan. Megjithëse jo çdo herë në politikë ai ka bërë lëvizjet dhe zgjedhjet më të mira. Në një reagim të tij sot për zhvillimet aspak të këndshme lidhur me pamundësinë e votimin të demarkacionit nga qeveria e udhëhequr prej tij duke sulmuar PDK-në, do të ndalem në dy momente”, ka shkruar Hoxhaj.

E para, thotë ai, vendimmarrja e tij si kryeministër asokohe u bllokua nga një pjesë e partisë së tij, të cilët jo vetëm që i dolën kundër demarkacionit por as nuk e votuan atë për kryeministër.

E dyta, Isa Mustafa po ankohet në një pjesë të qeverisë aktuale që sipas tij udhëhoqën protesta të dhunshme kundër demarkacionit para dy vitesh.

“Por ai i mbetet borxh elektoratit të LDK-së t’ia shpjegoj pse i pranon në shtëpi ata që e gjuajtën me koktej molotovi, vezë, e gaz lotsjellës në çdo ditë të punës së tij. Në fund, pajtohem me kryetarin e LDK-së që duhet gjetur një nyje besimi për t’u bërë bashkë në procesin e dialogut me Serbinë. Për PDK-në – është Kuvendi i Kosovës ku edhe LDK-ja duhet të bashkohet në takimet dhe diskutimet e ardhshme për të nxjerrë më të mirën e mundshme”, ka shkruar Hoxhaj.