Hoxhaj: Kësaj Qeverie iu kanë ngatërru kabllat, rrin në Lezhë në vend se të jetë në Berlin për sigurimin e vaksinave

Enver Hoxhaj i PDK-së ka kritikuar qeverinë Kurti se e ka lënë Kosovën si vendin e vetëm në botë me zero vaksina kundër koronavirusit.

Çdo qeveri e ndërgjegjshme do ta kuptonte se beteja me pandeminë nuk është politike, nuk duhet të ndodhë në rrafsh dogmatik por duhet të ndodhë në një rrafsh real. Kur e kam taku Kurtin, ai më ka thënë se do të bashkëpunojë me opozitën për pesë tema, dialogu, siguria, pandemia, arsimi, energjetika dhe sot nuk e shoh kryeministrin kur ne flasim për pandeminë. Do të duhej të na informonte se cfarë hapa janë ndërmarrë për të siguruar vaksinën. është vetëm 1 për qind e popullatës e vaksinuar, 25 mijë vaksina janë ndihmë sot kur e kemi këtë debat, në Kosovë ka zero vaksina. Qytetarët e Kosovës duhet ta kuptojnë që jemi të fundit në rajon dhe të fundit në botë sa i takon vaksinimit të popullësisë. Një qeveri e ndërgjegjshme dhe e përgjegjshme do të duhej ta nxirrte Kosovën nga kjo hartë e dështimit”, ka thënë Hoxhaj në Kuvend.

Ai ka thënë se kjo qeveri para se të rrijë në Lezhë e Gjirokastër, do të duhej të rrinte në Bruksel e Paris.

“Ku është kjo qeveri, mos iu kanë ngatërru kabllat kësaj qeverie se është kogja larg realitetit në të cilin jemi, as nuk po dojnë, as nuk po dinë as nuk po provojnë të mësojnë. Së paku, nëse kanë dështu t’i sigurojnë vaksinat, kur i presim vaksinat. Me kë kanë folë, kë e kanë thirrë në telefon, cilin vend do ta vizitojnë, më mirë se sa të rrinë në Lezhë, Gjirokastër e Tiranë, më mirë të rrinin në Bruksel, Berlin e Paris ku janë vaksinat”, ka thënë ai.