Hoxhaj: Albin Kurti nuk mund të mbijetojë politikisht pa Hashim Thaçin

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së Enver Hoxhaj ka drejtuar akuza të reja ndaj kreut të Qeverisë Kosovës, duke thënë se Albin Kurti nuk ka vizion për drejtimin e shtetit dhe se një gjë të tillë e dëshmon edhe fakti se ai është kryeministri i vetëm në Evropë që ka dështuar të sigurojë kontratën për vaksina.

“Albin Kurti nuk mund të mbijetojë politikisht pa Hashim Thaçin. Tërë karrierën e tij politike e ka orientuar në përbaltjen e figurës së tij dhe kurrë nuk ia ka arritur. Edhe tani që presidentin Thaçi nuk e kemi këtu, Kurti prapë po vazhdon të merret me emrin e tij. Zotimet e kryeministrit Thaçi me NATO-n kanë qenë dhe mbeten legjitime dhe faktikisht po zbatohen edhe nga kjo Qeveri, sikur të gjitha ato paraprake. Përndryshe, ky kryeministër do të duhej ta dëshmonte të kundërtën duke ndërmarrë hapa konkret për anulimin e saj”, shkruan Hoxhaj në Facebook.

“Më shumë sesa për presidentin Thaçi dhe zotimet në esencë, kjo qasje e tregon për inferioritetin e tij patriotik e politik dhe mungesën e vizionit qeverisës. Por, nëse dëshiron të flasim me fakte, qe një: Albin, ti je kryeministri i vetëm në Evropë pa asnjë kontratë për vaksina”, ka shtuar Hoxhaj.

Komentet e Hoxhajt vijnë pasi që kryeministri i Kosovës Albin Kurti u ka dërguar ftesë për takime tre liderëve të subjekteve opozitare në Kuvend, Enver Hoxhaj (PDK), Lumir Abdixhiku (LDK), dhe Ramush Haradinaj (AAK) gjatë javës së ardhshme, në shërbim të bashkërendimit politik për çështje me interes të vendit.