Drejtori i Policisë

Hoxha për aktakuzën e vrasësit të gruas në Pejë: Do të shikohet nëse ka pasur lëshime nga policia

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka folur nga vendi i ngjarjes ku mbeti e vrarë një grua nga bashkëshorti në Pejë.

Duke qenë se i dyshuari është raportuar më parë në polici për dhunë në familje, Hoxha është zotuar se do të shikohet se cili ka qenë roli i policisë në këtë rast.

Ai ka theksuar se nëse ka pasur lëshim në procedurë e punë, për rastin në fjalë nga ana e policisë, përgjegjësitë do të vihen para përgjegjësisë.

“Prej vitit 2021 nuk kemi pasur raste të raportuara në polici në lidhje me dhunë në familje, në këtë familje. Do t’i analizojmë raportet tona do të shohim cilat kanë qenë përgjegjësit, puna dhe roli i Policisë në këtë rast. Në qoftë se ka pasur ndonjë lëshim në procedura dhe punë, normalisht që çdo kush do të vihet para përgjegjësisë për dështimet e veta”, u shpreh Hoxha.

Ndërsa, prokurori i krimeve të rënda në Pejë, Ersan Qavolli e ka quajtur vrasjen makabre, duke mos dhënë detaje për motivin pse ka ndodhur.

“Kemi dyshime fillestare mirëpo për momentin për shkak të ndjeshmërisë së rastit nuk mund të lëshohemi më shumë lidhur me motivet. Edhe lidhur me këtë çështje gjatë fazës hetimore do të ju njoftojmë me kohë për të gjitha informatat që konsiderojmë që janë të rëndësishme për publikun, mirëpo në këtë fazë nuk mund të japim më shumë për mënyrën e kryerjes së veprës penale dhe lidhur me gjendjen apo trupin e së ndjerës. Është rast shumë i ndjeshëm”, ka deklaruar ai.

VIDEO BONUS: