Hoxha mohon se është bërë kryesues i bordit të drejtorëve në “Infrakos” në bazë të kritereve politike

Ka nisur përsëri seanca në rastin e njohur “Pronto”

Kandidati i PDK-së për deputet Sejdi Hoxha ka thënë se bashkëpartiakun e tij, ish-ministrin Besim Beqaj e njeh si ‘profesor universitar e ish-ministër të Zhvillimit Ekonomik’, raporton Koha Ditore.

Hoxha i cili është duke u intervistuar nga avokati i Beqajt, Besnik Berisha ka sqaruar procedurat se si e kishte marrë një pozitë publike në vitin 2011.

Hoxha që sipas raportimeve të mediave në zgjedhjet e fundit ka marrë votat e mjaftueshme për t’u bërë deputet nga radhët e PDK-së ka mohuar që në vitin 2011 përzgjedhja e tij si kryesues i bordit të drejtorëve të ndërmarrjes publike ‘Infrakos’ të jetë bërë në bazë të kriterit politik.

Hoxha ka thënë që me Beqajn nuk ka biseduar kurrë për ndonjë emërim të jashtëligjshëm. Ai ka thënë se të gjitha procedurat e hapjes së konkursit, zhvillimit edhe të renditjes se kandidatëve janë bërë nga bordi i ndërmarrjes. Më pas, sipas tij, procedura ka kaluar në Zyrën e Kryeministrit. Kryeministër në këtë kohë ishte ish-kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi.

Pauzon trupi gjykues në rastin “Pronto” – në pritje të Elhami Gashit.

Ende pa nisur mirë seanca në rastin e njohur si “Pronto”, trupi gjykues ka marrë vendim që seanca të shkojë në pushim disa minuta, pasi janë në pritje të të akuzuarit Elhami Gashi.

Siç raporton Koha Ditore, gjatë seancës së sotme pritet të dëshmojnë në cilësinë e dëshmitarëve Sejdi Hoxha e Hasan Ibraj.

Prokurorja speciale, Drita Hajdari ka thënë se e kundërshton dëgjimin e këtyre dëshmitarëve pasi që sipas saj me dëshmitë e këtyre të ftuarve nuk vërtetohet asgjë.

Në këtë çështje penale janë të akuzuar njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare: ish-deputeti Adem Grabovci, Besim Beqaj, Zenun Pajaziti, dy ish-sekretarë të përgjithshëm, Elhami Gashi dhe Xhavit Dakaj, ish-zëvendësministri Fatmir Shurdhaj, këshilltari politik në MPB Sadat Gashi, ish-drejtori i bordit të ndërmarrjes publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë Ismet Neziraj, ish-drejtori i bordit të ndërmarrjes publike “Hidro-Drini” në Pejë Rexhë Abazi, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit Nijazi Kryeziu dhe ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti.

loading…