Drejtori i Policisë

Hoxha: Ka kërcënim dhe rrezik për një sulm të ri në veri, grupi i Radoiçiqit vazhdon të jetë i lirë

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha, ka thënë se ka kërcënim dhe rrezik për një sulm të ri në veri dhe se grupi i Milan Radoiçiqit vazhdon të jetë i lirë.

“A ka kërcënim ka, a ka rrezik, unë besoj se ka derisa grupi terrorist i Radoiçiqit vazhdon të jetë i lirë në Serbi, vazhdon të trajnohet në Serbi, vazhdon të mbështetet nga strukturat e Serbisë, të trajnohet atje dhe të qëndrojë afër kufirit të Republikës së Kosovës. Çfarë është Kopauniku, po edhe bazat tjera ushtarake të Serbisë, e që janë afër kufirit tonë, mendoj që ka rrezik, e që ne duhet të jemi vigjilent dhe në gatishmëri të plotë për të vepruar atë dhe po e bëjmë”, ka deklaruar Hoxha.

Hoxha ka thënë më tej se situata e sigurisë në Kosovë është e qetë dhe stabile, me përjashtim të veriut, ku sipas tij situata e sigurisë vazhdon të jetë e brishtë.

“Për shkak të ndikimit të grupeve kriminale dhe po ashtu ndikimit të Qeverisë së Serbisë, që ka instrumentalizuar disa grupe, siç është rasti i grupit të Radoiçiqit por edhe grupe tjera”, ka theksuar Hoxha në një intervistë në emisionin “Tempus”.

Drejtori i Policisë ka thënë se viti 2023 ka qenë ndër vitet më sfiduese për Policinë e Kosovës dhe Kosovën në përgjithësi, duke pasur parasysh zhvillimet në veri të vendit.

VIDEO BONUS: