Ambasadori amerikan Jeff Hovenier tha se u tentua të keqinterpretohet situata me ndalimin e mallrave nga Serbia për çështjen e furnizimit me barna.

Ai tha se ka parë disa lajme në media për këtë dhe se janë interesuar me seriozitet për të parë si qëndron situata. Por, ai zbuloi se u synua të keqinterpretohet.

“Ajo që është e ndaluar tani janë mallrat e prodhuara nga Serbia, që në njëfarë mënyrë i ndikojnë furnizimin me barna dhe pajisje medicinale. Kjo është një gjë serioze dhe e kemi marrë shumë seriozisht, kështu që kemi folë me autoritetet kosovare dhe u munduam të marrim njohuri nga homologët serbë për të na ndihmuar që të kuptojmë situatën dhe më duhet të jem i qartë se – siç e kuptojmë ne – se barnat dhe furnizimi me medikamente importohen nga Serbia sot sikurse ka qenë para datës kur janë marrë masat [nga Qeveria e Kosovës]. Më duhet ta them se kjo duket sikurse njerëzit tentojnë që potencialisht të keqinterpretojnë situatën, nuk mund ta them se pse”.

Hovernier tregoi se kanë biseduar edhe me ministrin e Shëndetësisë për këtë çështje për të parë nëse është prekur zinxhiri i furnizimit me barna.

“Nuk duket të ketë dijeni për ndonjë kërkesë për import të barnave ose furnizime mjekësore të cilave ata nuk u janë përgjigjur pozitivisht. Kjo është një çështje serioze dhe SHBA-ja pret nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarrë veprime që promovojnë lirinë e mallrave në vend që t’i kufizojë ato në ndonjë mënyrë”, tha ai.