Hoti vazhdon kapjen e institucioneve, me veprime “diktatoriale” e mbush edhe KEK-un me LDK


Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti edhe pse është parë si një politikanë racional, veprimet e tij ngjajnë bukur shumë në mendësinë totalitare. Shkarkimet e njëpasnjëshme, shuarja e Taskë Forcës antikorrupsion, mbushja e institucioneve të pavarura më njerëz të LDK-së, etj., janë veprime të Hotit në javën e fundit.

Kësaj mësymje të Hotit sot i janë shtuar edhe shkarkimet në Bordin e Përkohshëm të KEK-ut.

Kryeministri Hoti ka “mbledhur” online në ora 13:00 qeverinë e tij për të votuar për shkarkim të një pjese të bordit dhe emërim po në ato pozita të dy personave tjerë. Kohë për votim u ka dhënë vetëm 4 orë.

Hoti me këtë vendim ka larguar nga bordi i KEK-ut, kryesuesin Hysen Fazliu dhe anëtarin Egzon Berisha, duke i zëvendësuar me Musa Misinin dhe Fadil Hoxhën. Të paprekshëm nga bordi i mëparshëm po mbesin Petrit Ibraj dhe Fatime Grajçevci.

Mirëpo, para se të tregojmë për ata që kanë ardhur në këto pozita, kryeministri ka vepruar për këtë vendim pa pyetur askënd.

Madje nuk ka pyetur askënd edhe në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit. Burime të Ballkani.info brenda kësaj ministrie, kanë treguar se ata nuk kanë qenë fare në dijeni për këtë zhvillim.

Anashkalimi i Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, që drejtohet nga Blerim Kuçi mund të lidhet edhe me acarimin e fundit të raporteve mes Hotit dhe Haradinajt nëpërmjet statuseve në Facebook dhe deklaratave në media.

Mirëpo, kush janë dy anëtarët e rinj të Bordit të Përkohshëm të KEK-ut. I pari është Musa Misini, ish-kryetari i Komunës së Vitisë nga radhët e LDK-së dhe ish-kandidat po për këtë parti në zgjedhje nacionale për një ulëse në Kuvend.

Ndërsa anëtari tjetër që është propozuar nga kryeministri Hoti është Fadil Hoxha.

Ministrave në e-mailin që u është dërguar nuk u janë përcjellur as CV-të se kush janë këta persona profesionalisht për t’u votuar në këtë Bord. /Ballkani.info/