Hoti premtoi disa gjëra për njohjen me Serbinë, Kusari thotë se fjalët e tij janë retorikë boshe

Deputetja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, i ka quajtur boshe premtimet e kryeministrit Avdullah Hoti për dialogun me Serbinë.

Sipas saj, Kosova në takimin e Uashingtonit më 4 shtator u përfaqësua nga “një delegacion i prirë nga një kryeministër që nuk e ndien përgjegjësinë e asaj çfarë shkon me këtë post, që do të thotë të jesh legjitim dhe të kesh mbështetje popullore, që nuk i ka”.

“E dëgjoj retorikën e tij. Është retorikë boshe. Thotë vazhdimisht se do të shkoj në Kuvend t’i informoj deputetët. Çka më duhet informimi i tij, kur ai në seancën e fundit informuese deklaroi në kundërshti me të gjitha ato që i ka nënshkruar. Çfarë peshe dhe vlere ka ai të vijë nesër në Kuvend të raportojë e të flasë se s’do të pranojë të diskutojë sovranitetin e Kosovës, asetet e se Kushtetuta është bazë për të, kur ai vetë e shkeli Kushtetutën. Vuri firmën në një dokument që nuk thirret në emrin kushtetues ‘Republika e Kosovës’. Ishte në një vend ku nuk pati dy shtete të përfaqësuara barabartë, për shkak se nuk pat as flamuj e as dokument të nënshkruar bashkë. Në fakt, ai nuk ka mundur t’i bëjë ballë heqjes së pikës dhjetë ku kërkohej njohja e dyanshme. Kemi pas përfaqësim të dobët që nuk përkon me atë se çfarë mbështetje politike duhet ta kishte dhe çfarë përgjegjësie institucionale duhet të mbante”, ka thënë ajo në Deskun e KOHËS