Avdullah Hoti nga LDK ka thënë se kjo parti ka dërguar shumë ligje në Gjykatën Kushtetuese për shkak se si opozitë janë “fokusuar në kontrollin dhe parandalimin e dëmeve në ekonomi, në shoqëri e në integritetin shtetëror të Kosovës, të shkaktuara në vazhdimësi nga vendimet arbitrare të kryeministrit dhe ministrave, nga ligjet jokushtetuese të miratuara në Kuvendin e Kosovës dhe nga vendimet joligjore të agjencive të pavarura”.
Ai shton se shumica prej këtyre ligjeve janë shpallur jokushtetuese.
Hoti thotë se në këtë kuptim duhet parë edhe ankesën e LDK’së në PZAP për vendimin e KQZ’së për votimin jashtë përfaqësive diplomatike. Sipas tij është naive të mendohet se mund të sigurohet integriteti i procesit të votimit në objekte private në shtete të huaja.
“Në këtë kuptim duhet parë edhe ankesën e LDK-së në PZAP, lidhur me vendimin e KQZ-së për votimin e diasporës jashtë përfaqësive diplomatike të Republikës së Kosovës. Është naive të mendohet se mund të sigurohet integriteti i procesit të votimit në objekte private në shtete të huaja. Në këtë drejtim, ankesa e LDK-së duhet kuptuar si veprim për ruajtjen e integritetit të procesit të votimit, e rrjedhimisht edhe të integritetit të përgjithshëm shtetëror të Kosovës. Në vend se të pranohet vendimi i PZAP-së me përulësi e respekt ndaj këtij institucion, këta dalin e shajnë LDK-në. Është e qartë se këta nuk kuptojnë esencën e termit ‘integritet shtetëror’. Çdo debat me ta në këtë aspekt është i kotë. Këta përbuzës të shtetit të Kosovës duhet larguar me votë nga qeverisja.”







