Shefi i GP të LDK

Hoti: Për të parandaluar një marrëveshje të dëmshme PSD-ja është dashur të qëndrojë në opozitë

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti në Interaktiv të KTV-së ka thënë se PSD-ja është dashur që të qëndrojë në opozitë për të parandaluar ndonjë marrëveshje të dëmshme.

“Për të parandaluar një marrëveshje të dëmshme PSD-ja është dashur të qëndrojë në anën e opozitës. Tani jemi vetëm dy parti në opozitë dhe dy deputetët e Alternativës. Si ta dimë ne se çfarë qëndrimi do të ketë nesër PSD-ja”, ka thënë Hoti.

Ai ka thënë se është e papranueshme që nuk është mbajtur seanca e thirrur nga opozita për draftligjin e Qeverisë.

“Është e papranueshme pasi është një dokument që Qeveria iu ka dorëzuar ambasadorëve të vendeve të BE-së dhe iu ka dorëzuar liderëve të partive Politike një draft marrëveshje përfundimtare nga dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. E dy partitë opozitare kanë kërkuar që kjo të diskutohet. E në ora 10:00 seanca nuk nisi. E është e palogjikshme që ata të mos ballafaqohen për një dokument që vet e kanë bërë. Seanca është ftuar më herët se ky takim, por pavarësisht kësaj ai takim ka qenë i ftuar nga kryetari i PDK-së, e asgjë nuk e ka ndaluar që ai të vjen vet apo të autorizojë dikë për ta mbajtur seancën për t’u ballafaquar me opozitën”, ka thënë Hoti.

Hoti e ka quajtur mashtrim kjo që është duke bërë pushteti aktual, mbështetur nga PSD-ja, për dialogun me Serbinë. E sipas tij me ekipe të tilla për dialog Kosova po kthehet prapa.

“Me provuar me bë unitet vetëm për forma, me njerëz që nuk përfaqësojnë asgjë, mendoj se ky mashtrim nuk shkon përpara, kjo s’mund t’i shitet as BE-së e as qytetarëve. Bashkëkryesuesit e ekipit është njëri nga partia e shtatë, e tjetri i një komune që është i kontestuar. Ata s’kanë asnjë fuqi politike që ata nesër të japin llogari. Tashmë kemi institucione, e të kthehemi mbrapa si më 2006-2007 kur janë bërë negociata me ekipe të unitetit është nonsens. Këta janë njerëz që nuk kanë legjitimitet politik për ta përfaqësuar Kosovën, e vetmja është Qeveria ajo që ka legjitimitet”, ka thënë ai.

Hoti ka theksuar se tre bartësit kryesorë e kanë krijuar një konfuzion të jashtëzakonshëm për çështjen e dialogut.

“Presidenti angazhohet tash e një vit, në fillim për shkëmbim e tani për korrigjim të kufijve. E kemi Qeverinë që ka përgatitur një draft marrëveshje, të cilën kërkuam ta diskutojmë. E kjo e kthen Kosovën më 2006 kur ne jemi ulur me partnerët për të diskutuar aranzhimet kushtetuese të Kosovës. Por, një gjë të tillë ne nuk do ta lejojmë. Qëndrimi i jonë është i qartë. Me ekipe hibride, me arnime të ndryshme ky proces nuk shkon përpara, e kjo Qeveri nuk ka legjitimet për të udhëhequr me procese kaq të rëndësishme nëpër të cilën po kalon vendi. Kjo Qeveri ka vetëm 42 vota në Kuvend e dhjetë janë të komuniteteve pakicë jo serbe, e me 52 vota nuk mund të udhëhiqen me procese kaq të rëndësishme”, ka thënë Hoti.

Ai shton se partia më e madhe është në opozitë, e nuk ka logjikë që këto procese të shkojnë pa LDK-në, e as nuk mund ta bëjnë.

“S’do ta bllokojmë Kuvendin e as s’do të përdorim dhunë siç e ka bërë kryeministri aktual me rastin e demarkacionit në vitet e kaluara. Duhet një Qeveri e fuqishme që ka mbështetje të gjerë, që nuk ia lejon askujt të marrë në dorë fatin e vendin pa mbështetjen e qytetarëve. S’e kemi parë letrën e Trumpit si presion”, ka thënë ai.