Hoti për djegien e billboardit ‘Liria ka emër’: Duhet të tregohemi të qetë sepse jemi në periudhë të ndjeshme

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka komentuar djegien e billboardit ‘Liria ka emër’, në Graçanicë.  

Ai tha se këtye zhvillimeve duhet t’u qasemi me qetësi sepse jemi duke kaluar një periudhë të ndjeshme si shtet.

“Djegia e billboardit “Liria ka emër” në Graçanicë, është një ngjarje që nuk duhet të ndodhte. Duhet t’u qasemi këtyre zhvillimeve me qetësi, sepse jemi duke kaluar në një periudhë të ndjeshme të konsolidimit të shtetësisë tonë”, ka deklaruar Hoti në Syri TV.

Hoti foli edhe për aktakuzat ndaj figurave kryesore të UÇK-së.  

“Aktakuzat ndaj figurave kryesore të UÇK-së, besoj se gjatë këtyre javëve kemi treguar maturitetin e nevojshëm shtetëror. Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës, e vendosur në Hagë për të tjera çështje. Gjykata Speciale, kur është themeluar në vitin 2015 është nxjerrë edhe ligji që ne të ofrojmë mbështetjen financiare, për të akuzuarit. I kam të gjitha informatat që duhet të dijë një kryeministër, nga shërbimet që janë ngritur me ndihmën e partnerëve tanë ndërkombëtarë”, ka thënë Hoti.

Ditëve të fundit një billbord “Liria ka emër” është vendosur në Komunën e Graçanicës.

Vendosja e tij ka ngritur reagime të shumta, derisa është kërkuar që ai të hiqet edhe nga kreu i kësaj komune, duke u cilësuar si provokim për banorët.

Në orët e para të mëngjesit këtij billbordi i është vënë flaka. Në vend të ngjarjes ka dalë policia që e ka rrethuar me shirit vendin ku ndodhet ai billbord.