Hoti pasi u nominua për kryeministër: Jemi favorit për t’i fituar zgjedhjet

Avdullah Hoti do të jetë kandidat i LDK-së për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme.

Kjo është konfirmuar në një konferencë për media të kreut të LDK-së, Isa Mustafa dhe kryeministrit në detyrë, Avdullah Hoti.

Mustafa ka thënë se vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të Kryesisë.

Kreu i LDK-së ka thënë se Qeveria Hoti ka bërë punë të mirë dhe ka qenë shumë e zellshme në luftën kundër pandemisë. Sipas tij, kjo i ka shtyrë që ta nominojnë sërish Hotin për kandidat për kryeministër nga radhët e LDK-së.

Ndërkohë qeverisjen e tij të derimëtashme e ka lavdëruar edhe kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti.

Hoti ka thënë se Qeveria e tij ka bërë një sërë reformash, për çka ka thënë se është i bindur që LDK-ja është favorite për të fituar zgjedhjet.

“Jam tepër i kënaqur për vlerësimin që LDK i ka bërë Qeverisë. Besoj që gjatë këtyre 7 muajve të qeverisjes kemi luftuar krimin dhe korrupsionin, kemi kthyer partneritetet që janë dëmtu dhe kemi bërë një sërë reformash. Në javët e ardhshme do të dalim para qytetarëve me ofertën programe. Unë jam i bindur se ne jemi favoriti kryesor për ti fituar këto zgjedhje bazuar në punën e mirë që kemi bërë dhe jo sondazhet që bëhen poshtë e lartë”, u shpreh Hoti.