Hoti: Nuk pres nga bashkësitë fetare që të dalin në paradë, e kam hallin me krerët e shtetit

Gazetari Shkodran Hoti ka komentuar çështjen e martesave të gjinisë së njëjtë si dhe qëndrimet e deputetëve të Kuvendit të Kosovës e të kryeministrit lidhur me këtë çështje.

Hoti në Pressing të T7 ka thënë se nuk është shqetësuese ajo çfarë po deklarojnë bashkësitë fetare lidhur me këtë temë, madje ai thotë se nuk pret që dikush prej këtyre bashkësive të dalë në paradë.

Ajo çfarë Hoti e konsideron si shqetësim serioz, është heshtja e krerëve të shtetit rreth kësaj çështje me rëndësi.

“Shqetësimin nuk e kam cfarë thotë bashkësia fetare. Nuk e kam hallin te reagimi i bashkësive fetare, nuk pres që ato me dalë në paradaë. E kam hallin qysh sot, kur po diskutojmë për Draft Kodin Civil ndihet zëri i tyre, dhe nuk ndihet zëri i krerëve të shtetit”, ka thënë Hoti.

Ai përmend edhe deklaratën e kryeministrit Albin Kurti i cili kur u pyet për martesat e gjinisë së njëjtë, nuk i komentoi me arsyetimin se nuk është deputet.

Sipas Hotit, kjo është një deklaratë që nuk tregon gatishmëri e as guxim për ta shtyrë përpara këtë çështje.

“Sot specifikisht është pyetur kryeministri Kurti dhe a e dini çfarë ka thënë, ka thënë që unë nuk jam deputet edhe e diskutojmë. Kjo nuk është një deklaratë që tregon gatishmëri dhe guxim me e çu këtë çështje përpara. Ky është nënshtrim ndaj diskursit të masave, me këtë qasje po tregohet mungesë e guximit. Është tejet skadaloze dhe ironike, personi që e udhëheq Komisionin e Drejtave të Njeriut në Kuvend, zonja Duda Balje me dalë ndër të parët kundër”, ka thënë Hoti.